Kreu i klanit “Duka”, Leonard Duka ka pranuar këtë të martë në sallën e gjyqit se ka takuar biznesmenin e zhdukur të basteve Ervis Martinaj. I njohur dhe me nofkën “Princi Damian”, ai është përballur dhe me nënën e Santiago Malkos, ish-policin që akuzohet se urdhëroi ta vrisnin.
Bukurie Malko i është betuar Leonard Dukës se do ta vriste, pasi i kishte futur në dhe djalin. Për shkak të tensioneve në sallën e gjyqit, gjyqtari ka marrë vendimin që nëna e Malkos të dilte nga seanca.
“S’ta fal gjakun e djalit kurrë, do ta vras. Më fute djalin në dhe”, është shprehur ajo.
Ndërkohë, SPAK i përfaqësuar në këtë proces nga prokurori Behar Dibra, ka paraqitur prova të reja nga bisedat e zbardhura nga dosja e “SKY ECC”. Leonard Duka fillimisht ka mbajtur qëndrim mohues, por më vonë ka pranuar se është takuar me Ervis Martinaj.
Nuk dihet nëse takimi i pranuar nga “Princi Damian” me biznesmenin e kumarit dhe basteve ka ndodhur gjatë kohë që i referohen bisedat në “SKY ECC”, më shumë se katër vite më parë, apo mes dy miqve që u kthyen në armiq ka pasur takime të mëvonshme.
Avokatja pyet Dukën: A keni patur Sky Ecc?
Duka: Jo.
Kur pyetet për kodin, Duka thotë: S’e kam idenë.
Avokati: Keni patur kontakte me persona që kanë patur Sky?
Duka: Jo s’kam patur asnjë kontakt.
Kur pyetet lidhur me një foto të gjetur në Sky, Duka thotë: Nuk jam unë.
Behar Dibra: Me Ervis Martinaj keni komunikuar, keni patur kontakte?
Duka: Po e kam takuar.
Dibra: Po komunikime të tjera?
Duka: Jo.
Dibra: Po babai juaj ka patur ndonjë problem e keni ndarë me njeri?
Duka: Babai im s’ka patur asnjë problem.
Gjykata e Posaçme ka përsëritur këtë të martë thirrjen për shtetasin Muhamet Duka, që të paraqitet në gjyq për t’u pyetur. Një pengmarrje e tij disa orësh nga Santiago Malko dyshohet se është bërë shkak që Leonard Duka të urdhëronte vrasjen e ish-policit mik të Ervis Martinaj.
Megjithatë, për shkak të gjendjes shëndetësore, Muhamet Duka nuk është paraqitur në gjyq.