Ish-Presidenti Bamir Topi, komentoi këtë mbrëmje në studion e emisionit “Log” rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Topi u shpreh se Sali Berisha dhe Edi Rama e kanë ndërtuar vetë sistemin dhe kjo që ndodhi në zgjedhjet e 11 Majit ishte e pritshme.
Ish-Presidenti Bamir Topi delaroi se opozita humbi dhe se Sali Berisha e dinte që s’mund të fitonte përballë Edi Ramës. Sakaq, Bamir Topi tha se Berisha dhe Rama përveçse në vitin 2008, kanë bërë marrëveshje edhe në vazhdim.
“Problemi për një politikan nuk është çfarë po ndodh, por të parashikosh të ardhmen. Shoh tendencën. E kam parë shumë vite përpara. Është një film që ne e kemi parë. Është ndërtuar një sistem që të çon në këtë lloj rezultati. Nuk ka gjë më të keqe që njeri që përfaqëson 500 mijë njerëz, të paktën në votimet e fundit, dhe i fut në një betejë: ejani me ne se do të fitojmë. Deklarata të qarta, me sigurinë e votës, me ruajtjen e saj, me programin që do të çonte në fitore dhe mbështetjen ndërkombëtare.
Pra, nga e gjithë kjo retorikë politike, opozita mori një humbje, por vetë Sali Berisha mori fitore, sepse ai e dinte që përballë Edi Ramës nuk mund të realizohej fitorja, sepse është ndërtuar sistemi i tillë dhe Berisha e di shumë mirë këtë.
Informacioni është se këta të dy e kanë bërë në vazhdimësi marrëveshjen, nuk është vetëm ajo e 2008-s. E keni dëgjuar ndonjë Berishën të jetë penduar ndonjëherë për 2008-ën?”-tha Topi.