Këngëtarja e dashur për publikun shqiptar, Dafina Zeqiri, është bërë nënë për herë të parë. Lajmin e bukur e ka ndarë partneri i saj, Kreshnik Gjergji, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka dhënë lajmin e ardhjes në jetë të djalit të tyre. Me nota humori dhe një foto të ëmbël, ai ka njoftuar fansat dhe ndjekësit për këtë ngjarje të veçantë në jetën e çiftit.
Vetëm pak orë më parë, edhe vetë Dafina kishte ndarë me ndjekësit emocionet përpara lindjes, duke publikuar një video ku shihej në spital, e rrethuar nga përkrahja e partnerit dhe stafit mjekësor. Ajo kishte shprehur entuziazmin dhe emocionin që po përjetonte në ato momente të rëndësishme, duke u treguar fansave se dita më e bukur e jetës së saj ishte shumë afër.
Ky është fëmija i parë për Dafinën dhe Kreshnikun, të cilët prej vitesh janë në një lidhje që nuk kanë ngurruar ta ndajnë herë pas here edhe me publikun. Çifti janë konsideruar shpesh si një ndër lidhjet më të dashura në showbizin shqiptar, për mënyrën e natyrshme dhe të sinqertë me të cilën kanë prezantuar marrëdhënien e tyre.
Tashmë, me ardhjen në jetë të të birit, ata kanë hyrë në një kapitull të ri të jetës së tyre – atë të prindërve. Fansat dhe miqtë kanë shpërndarë me shumicë urime dhe komente të përzemërta në rrjetet sociale, duke i uruar Dafinës shëndet, dashuri dhe një rrugëtim të lumtur në këtë rol të ri.
Ndonëse emri i të voglit nuk është bërë ende publik, mediat rozë dhe ndjekësit e shumtë mezi po presin më shumë detaje nga çifti i njohur. Pa dyshim, ky moment shënon një tjetër ngjarje të gëzueshme në jetën dhe karrierën e Dafina Zeqirit, e cila tashmë jo vetëm si artiste, por edhe si nënë, po fiton zemrat e publikut me emocionin dhe ndjeshmërinë që e karakterizon.