Në një natë të ndritshme plot emocione dhe shkëlqim, Shqipëria dhe Kosova kanë kurorëzuar përfaqësueset e tyre për Miss Universe 2025. Flavia Harizaj do të mbajë titullin e Miss Universe Albania, ndërsa Dorea Shala do të përfaqësojë Kosovën në garën ndërkombëtare të bukurisë që këtë vit do të zhvillohet më 21 nëntor në Tajlandë.

Eventi, i njohur për organizimin glamuroz dhe përfaqësimin e denjë të bukurisë shqiptare në skenën globale, u zhvillua mbrëmë në Tiranë dhe u ndoq me interes të madh nga publiku dhe mediat. Spektakli Miss Universe Albania & Kosova, që për vite me radhë ka qenë një ngjarje e përbashkët mes dy vendeve, këtë vit solli jo vetëm dy fituese të reja, por edhe një lajm të rëndësishëm për të ardhmen e konkursit.

Organizatorët njoftuan se duke nisur nga viti i ardhshëm, Miss Universe Kosova do të ketë edicionin e saj të ndarë, i cili do të zhvillohet në Prishtinë. Ky vendim vjen si një hap drejt forcimit të identitetit të veçantë kulturor dhe kombëtar të garës në Kosovë, duke e ndarë përfundimisht nga edicioni shqiptar që tradicionalisht është mbajtur në Tiranë.
Kjo lëvizje pritet të sjellë më shumë vëmendje dhe investim në nivel lokal për të dy vendet, si dhe një proces përzgjedhës më të fokusuar për vajzat që përfaqësojnë secilin shtet. Për herë të parë pas shumë vitesh, dy kryeqytetet do të jenë skena të ndara të spektaklit më të madh të bukurisë shqiptare.
Për Flavia Harizaj dhe Dorea Shala, sfida tashmë nis zyrtarisht. Të dyja do të përgatiten për të përfaqësuar vendet e tyre në një nga kompeticionet më prestigjioze në botë, ku bukuria takohet me inteligjencën, kulturën dhe përkushtimin. Tajlanda i pret.
Flavia Harizaj, 23 vjeçe nga qyteti i Fierit. Studente për financë. Gjithmonë i ka pëlqyer bota e televizionit, Flavia është më e lirshme para kamerës, sesa para njerëzve, për këtë e kanë ndihmuar fotosesinet dhe videoklipet ku ka marrë pjesë. I pëlqen shumë të kërcejë, pasi kërcimi për të largon të gjitha energjitë negative.