15-vjeçarja mahnit shokët, shkon në mbrëmjen e maturës… mbi lopën e familjes

Në një skenë të pazakontë dhe plot origjinalitet, Chloe Fitton, një vajzë 15-vjeçare nga Bolton, Greater Manchester, befasoi të gjithë kur u shfaq në mbrëmjen e maturës duke hipur mbi një lopë.

Chloe, e cila vjen nga një familje fermerësh me traditë pesë brezash, zgjodhi të vinte në mbrëmjen e veçantë me një nga kafshët më të dashura të fermës së tyre – lopën Oasis. E veshur me një fustan blu elegant, ajo u shoqërua nga babai i saj Richard dhe vëllai Thomas, ndërsa videoja e momentit u bë virale, duke kapur mbi 600,000 shikime në TikTok.

“Të gjithë shkojnë me karrocë ose mbi kuaj. Mendova të bëja diçka ndryshe, që askush nuk e kishte bërë më parë,” tha Chloe, e njohur nga vogëlia me nofkën “Zonjusha Moo”. Familja e çoi vajzën dhe lopën me rimorkio në një parking afër stadiumit Toughsheet, ku mbahej eventi, dhe më pas Chloe e kaloi distancën prej 400 metrash mbi lopa, duke marrë duartrokitjet më të forta të mbrëmjes. Ky veprim u pa jo vetëm si një gjest i guximshëm, por edhe si një homazh për jetën rurale dhe lidhjen e fortë të Chloe-s me bujqësinë. Në shtator, ajo do të ndjekë studimet në kolegj për bujqësi dhe synon që një ditë të marrë drejtimin e fermës familjare.

Kjo histori ka ngjallur shumë pozitivitet në rrjetet sociale, ku Chloe është kthyer në një ikonë të autenticitetit dhe krenarisë për rrënjët e saj.