E fundit! Shp*rthim i fuqishëm në pikën e karburantit, mbi 20 të l*nduar – Detajet e para (VIDEO-FOTO)

Një shpërthim i fuqishëm, i ndjerë në të gjitha lagjet e Romës, ka ndodhur mëngjesin e sotëm, pak pas orës 8:00, në një pikë karburanti të ndodhur në rrugën Via dei Gordiani, në zonën Prenestino të kryeqytetit italian.

Ende nuk dihen shkaqet e sakta të incidentit, por raportet e para flasin për dy shpërthime të ndryshme, ku i dyti ka qenë dukshëm më i fortë. Mësohet se shërbimet e emergjencës ishin thirrur fillimisht për një incident të ndodhur pak më parë në afërsi të zonës: një kamion kishte goditur një tubacion, por ende nuk është e qartë nëse ekziston ndonjë lidhje mes këtij incidenti dhe shpërthimit në pikën e karburantit. Ndërkohë, disa qytetarë kishin sinjalizuar një erë të fortë gazi në zonë.

Pas shpërthimit, një kolonë e dendur tymi është ngritur në ajër, duke u bërë e dukshme nga pjesa më e madhe e qytetit. Numri i telefonatave të shumta drejtuar numrave të emergjencës nga qytetarët që kishin dëgjuar shpërthimin ka qenë i konsiderueshëm.

Deri në këto momente, numri i personave të transportuar në urgjencë nga shërbimi 118 ka arritur në 21. Të plagosurit janë dërguar në spitale të ndryshme të qytetit. Mësohet se mes të plagosurve nuk ka punonjës të vetë shërbimit 118, siç u raportua fillimisht. Gjatë operacioneve të para të shpëtimit, karabinierët që mbërritën në vendngjarje evakuuan zonën e prekur dhe ofruan ndihmën e parë disa të plagosurve. Disa prej tyre u transportuan në spital edhe me automjetet e shërbimit të karabinierëve, përfshirë një nga më të rëndët, i cili u dërgua në spitalin Vannini. Edhe një karabinier i Njësisë Radiomobile, i cili ishte ndër të parët që ndërhyri, ka mbetur lehtë i plagosur.

Presidentja e Këshillit të Ministrave të Italisë, Giorgia Meloni, po ndjek me vëmendje pasojat e kësaj ngjarjeje. Kryeministrja ka kontaktuar kryetarin e Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, dhe po mban kontakte të ngushta me nënkryetarin Alfredo Mantovano, i cili po informohet vazhdimisht nga autoritetet kompetente, me fokus të veçantë në shëndetin e personave të përfshirë.

Si masë sigurie, është mbyllur stacioni i metrosë C Teano. Mbyllja u bë me urdhër të forcave të rendit, siç njofton kompania e transportit publik Atac në faqen e saj zyrtare.

Ndërkohë, frika ka pushtuar qytetarët. Paola, një banore e një apartamenti në Via dei Gordiani, përshkruan momentet e panikut menjëherë pas shpërthimit: “U zgjuam nga një shpërthim, dukej si bombë, si atentat”. Francesco, një tjetër banor i një ndërtese ngjitur, shton: “Nuk e kuptuam se çfarë ishte, të gjitha xhamat u tronditën. Mund të ishte bombë, tërmet, nuk po kuptonim. Pastaj pamë tymin dhe e kuptuam që ishte shpërthim”.

Claudia tregon për nënën e saj e cila ka marrë një plagë në këmbë nga copat e xhamave të thyera, ndërsa Roberta rrëfen se ka dalë nga shtëpia “me shapka”, duke menduar se ishte “një atentat”. Alessandro përmend “copa druri që fluturuan brenda në shtëpi”. Shumë banorë të zonës kanë thënë se kanë parë “njerëz të mbuluar nga xhamat në rrugë”. Hetimet nga autoritetet italiane vazhdojnë për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.