Artan Fuga ngre al*rmin: “Shqipëria po shkon drejt rënies së qytetërimit” – Sistemi po dështon, ja çfarë na pret

Akademiku i njohur Artan Fuga ka bërë një deklaratë të fortë dhe paralajmëruese në emisionin “ÇdoKënd” në A2 CNN, ku foli për krizën strukturore që, sipas tij, po përjeton shoqëria shqiptare dhe për rrezikun real të një rënieje të civilizimit të qytetërimit.

Fuga tha se në çdo sistem demokratik, elementi thelbësor që siguron zhvillim dhe stabilitet është vetëkorrigjimi përmes rotacionit politik. Sipas tij, kur pushteti nuk ndryshon, kur alternativat politike nuk zëvendësojnë njëra-tjetrën realisht, sistemi hyn në fazë stagnimi e më pas rënieje.

“Një sistem që nuk ka elementët e vetë-korrigjimit, pra pushteti që ndryshon në raportin pozitë-opozitë… nëse kjo nuk ndodh, kjo makina që fshin pluhurat, kjo përplaset me kokë te muri,” – u shpreh Fuga.

Ai theksoi se vetëm ndryshimi i vërtetë i alternativave politike sjell përmirësim të sistemit, përndryshe ai mbetet i deformuar dhe në një drejtim të vetëm. Sipas tij, kjo ka ndodhur në Shqipëri, ku votimi nuk shërben më si mjet për korrigjimin e pushtetit nga elektorati.

“Ne ose do të kemi një alternativë që vetëkorrigjon tjetrën, ose do të shkojmë si civilizim drejt humnerës,” – paralajmëroi Fuga.

Ai shtoi se kjo rënie e qytetërimit nuk do të ndodhë menjëherë, por është një proces që ka nisur, dhe pasojat e tij do të ndihen në 10, 15 apo 20 vitet e ardhshme. Rënia, sipas tij, nuk do të ndodhë përmes dhune apo konflikti të hapur, por me mënyra të heshtura e të sofistikuara: me votime formale, me debat të rremë parlamentar, me “unitet të popullit rreth partisë”, por pa korrigjim real të politikës.

“Jemi në kushtet e rënies së civilizimit të qytetërimit,” – përfundoi ai, duke e lënë të hapur një thirrje për reflektim të thellë shoqëror dhe politik.

Deklaratat e profesorit kanë ngjallur reagime të shumta në rrjet, ndërsa shumë komentues i kanë cilësuar ato si një pasqyrim i saktë i situatës aktuale në vend, ku rotacioni politik është zhdukur dhe opozita mbetet e dobët përballë një maxhorance të pakontestueshme.