Puna e do që mandati i përgjegjësisë së madhe të ketë edhe disa dëshmorë. Kështu që disa do të hanë shkopin e Sulltanit, disa të tjerë atë të Dumanit me autorizim të Sulltanit.
Të mirat e mandatit të katërt kulmuan këtë javë, veçanërisht në bastionet e pamposhtura që e hodhën votën e tyre plumb për armikun në 11 maj dhe u bashkuan si një trup i vetëm rreth Partisë.
Në Elbasan, po eksperimentohet një formë e re e shfarosjes në masë: ekocidi. Efektiviteti i tij do të vlerësohet në vijim. Brenda pak vitesh, kërkuesit do të kenë të qarta kostot në jetët njerëzore, kostot në sistemin shëndetësor, si dhe kostot ambientale.
Por paraprakisht mund të thuhet se këto kosto do të jenë në proporcion me fitoren e fuqishme të 11 majit. Në Vlorë, po provohet se çfarë i shkakton njerëzimit privimi i ujit në temperatura 40 gradë. Gjithashtu po eksperimentohet fakti, nëse njerëzit mund të jetojnë duke pirë ujin e detit dhe lëngun e nëntë mandateve plebishitare.
Megjithatë, në Vlorë duheshin ca fajtorë. Kështu që sulltani nxori ferman dhe shpalli sabotatorë të rrezikshëm të gjithë patronazhistët parazitë të Bashkisë. Domethënë, ujësjellësat i ka Ministria e Infrastrukturës, reformën e bëri Ministria e Infrastrukturës, investimet po ashtu Ministria e Infrastrukturës, por fajin pse mileti në Vlorë po thahet për ujë, e kanë këta hajdutët e vegjël që vegjetojnë nëpër Bashki.
Kjo është panorama e përgjithshme e këtij fillimmandati, për të cilin Sulltani thotë se po e lë pa gjumë për shkak të përgjegjësisë dhe besimit shumë të madh që i dha populli. Në mikro, gjërat janë shumë më dëfryese. Për shembull, ato pamjet e drejtorëve që dilnin tufë me kokën ulur nga Bashkia, pasi kishin ngrënë shkopin e Sulltanit, nuk kanë të paguara.
Puna e do që mandati i përgjegjësisë së madhe të ketë edhe disa dëshmorë. Kështu që disa do të hanë shkopin e Sulltanit, disa të tjerë atë të Dumanit me autorizim të Sulltanit. Por e rëndësishme është që Partia të ketë unitet dhe inceneratori i Elbasanit të prodhojë energji.