Aktori australian Julian McMahon, i njohur për rolet në seriale të famshme si Nip/Tuck dhe Charmed, ka ndërruar jetë në moshën 56-vjeçare.
Bashkëshortja e tij tha se aktori vdiq në Clearwater, Florida, të mërkurën, por lajmi është bërë publik këtë të shtunë. Ai ishte prej kohësh i diagnostikuar me kancer.
“Julian e donte jetën. E donte familjen. I donte miqtë. E donte punën e tij dhe fansat. Dëshira e tij më e madhe ishte të sillte gëzim në sa më shumë jetë të ishte e mundur”, tha Kelly Paniagua në një deklaratë të publikuar.
Karriera e McMahon mori hov me serialin televiziv fantastiko-shkencor ‘Charmed’, përpara se të fitonte famë me dramën mjekësore ‘Nip/Tuck’, ku luante rolin e kirurgut plastik, Dr. Christian Troy.
Seriali, që u transmetua për gjashtë sezone nga viti 2003 deri në 2010, i solli atij një nominim për çmimin Golden Globe.
McMahon gjithashtu luajti rolin e Doktor Doom në dy filma ‘Fantastic Four’ në vitet 2005 dhe 2007, dhe më vonë u shfaq në tre sezone të serialit ‘FBI: Most Wanted’. Producenti i serialit, Dick Wolf, e quajti vdekjen e tij lajm tronditës.
Shfaqja e fundit publike e Julian ishte në marsin e kaluar, kur ai qëndroi përkrah Nicolas Cage në Austin të Teksasit, duke promovuar trillerin psikologjik The Surfer, dhe ku dukej mjaft i dobësuar.
Jeta e tij personale ka qenë gjithnjë në qendër të vëmendjes, kur u martua me aktoren dhe modelen Brooke Burns (1999–2001), me të cilën pati një vajzë, Madison Elizabeth McMahon, si dhe me këngëtaren Dannii Minogue.