Pas një dekade rritjesh të pandalshme, tregu i apartamenteve në Tiranë po përballet me sinjalet e para të një ftohjeje të madhe. Sipas analizës së bërë nga “Zëri”, vjeshta e këtij viti mund të sjellë një kthesë të fortë në çmimet e banesave, duke hapur rrugë për një fazë të re me çmime më të ulëta dhe më të arsyeshme për blerësit.
Katër faktorë të fuqishëm po ndërthuren dhe pritet të japin një efekt të menjëhershëm në uljen e çmimeve në muajt që vijnë. Ja cilët janë:
1. Fundi i kredive 100% dhe barrierat e reja bankare
Një nga faktorët më të rëndësishëm që po e ndryshon rrënjësisht balancën e tregut është politika e re e bankave. Në vend të kredive që mbulonin 100% të vlerës së apartamentit, tashmë huadhënia është kufizuar në 70%. Kjo është një goditje për familjet e reja, të cilat nuk kanë trashëguar pronë dhe nuk zotërojnë kursime prej 40–50 mijë eurosh për parapagim. Rënia e aksesit në financim do të ulë ndjeshëm kërkesën, dhe me më pak blerës në treg, çmimet pritet të bien.
2. Akti i ri për rivlerësimin e pasurive: legalizim dhe shitje masive
Sapo Parlamenti i ri të nisë punën, pritet të miratohet një ligj i ri për rivlerësimin e pasurive me një penalitet të reduktuar në vetëm 3%. Kjo do t’i shtyjë shumë pronarë të nxjerrin në shitje apartamente të hipotekuara, që deri tani i kanë mbajtur në pritje për shkak të kostove të larta të rivlerësimit. Ky “valvul shkarkimi” do të sjellë rritje të ofertës dhe, për pasojë, ulje të menjëhershme të çmimeve, sidomos në zonat më të ngarkuara të Tiranës.
3. Mbingopja e tregut dhe përmbytja nga ndërtime të reja
Tirana po përjeton një bum ndërtimesh të paprecedentë. Vetëm gjatë viteve të fundit janë dorëzuar qindra pallate të reja, ndërsa në vjeshtë pritet përfundimi i disa prej projekteve më të mëdha ndërtimore që do të hedhin në treg mijëra apartamente të reja. Ky shtim masiv i ofertës, në një kohë kur kërkesa është në rënie, ushtron një presion të madh për uljen e çmimeve, veçanërisht në zonat e reja urbane dhe ato jashtë unazës së mesme.
4. Rënia sezonale e kërkesës dhe vala e emigracionit
Periudha e verës sjell një gjallërim të përkohshëm në tregun imobiliar, për shkak të emigrantëve që kthehen për pushime dhe interesohen për të blerë një pronë. Por ky interes zgjat vetëm deri në fund të gushtit. Me nisjen e vitit të ri shkollor dhe valën e re të emigracionit, shumë familje i përdorin kursimet për arsim, zhvendosje jashtë vendit ose mbijetese, duke e ulur ndjeshëm fuqinë blerëse. Ky cikël i zakonshëm sezonal këtë vit pritet të përforcohet edhe nga pasiguria ekonomike dhe ndryshimet ligjore që janë në horizont.