Pse po ia ‘vë flakën’ Vlorës, Edi Rama?

Fjalimi absurd nga makina nuk fsheh më asgjë: Rama ka nisur pastrimin final të PS-së dhe rrëzimin e çdo strukture që nuk është klon i tij. Vlora ishte simboli i fundit i pavarësisë socialiste që u përmbys…

Videoja “live” që Edi Rama publikoi nga makina nuk ishte as sqarim, as fjalim. Ishte një rrëfim tërbimi, një rënkim i një njeriu që sapo ka shkatërruar një nga strukturat e fundit reale të Partisë Socialiste në terren, Vlorën. Ajo çfarë ndodhi një ditë më parë, nuk ishte një shkarkim i zakonshëm, por një goditje e qartë dhe brutale në tre fronte: ligjor, politik dhe personal.

Në aspektin ligjor, Rama ka ndërhyrë drejtpërdrejt në kompetencat e pushtetit vendor duke i diktuar kryebashkiakut të Vlorës kë të shkarkojë dhe kë të emërojë.

Në asektin politik, ai ka përmbysur mandatin e 14 majit 2023, duke eliminuar jo vetëm fituesit e zgjedhjeve, por edhe frymën e çdo strukture që nuk është e kontrolluar nga ai personalisht.

Në aspektin personal, Rama ka shkatërruar klanin e Gramoz Ruçit, ndoshta të vetmen bërthamë me ndonjë gravitet real brenda PS-së që nuk varej nga urdhrat e tij.

Rama ka goditur Vlorën paralelisht me Tiranën, duke filluar një ofensivë ndaj çdo zone ku Partia Socialiste ka pasur ndonjëherë jetë të pavarur politike. Plani i tij është i thjeshtë: asnjë socialist nuk duhet të mbijetojë në PS nëse nuk është pjesë e “tarafit” të Bablokut.

E ka provuar më parë me Erion Veliajn, me Arben Ahmetajn, me Fatmir Xhafajn, dhe tani radha është e Vlorës, një simbol në historinë e majtë shqiptare, por që për Edi Ramën nuk është më asgjë përveç një pengese.

I gjithë investimi politik i Gramoz Ruçit në atë qytet, nga Shpëtim Gjika, te Dritan Leli e Ermal Dredha, është çrrënjosur nga themelet dhe zëvendësuar me njerëz të ardhur nga Partia Demokratike. Kjo nuk është as rastësi dhe as “hapje”. Është një uzurpim me qëllim final: që në 2027, kandidati i PS për Bashkinë e Vlorës të vijë nga PD-ja. Ky është kulmi i makutërisë së pushtetit, një aleancë me çdo palë, përveç socialistëve.

E gjitha kjo është pjesë e një skeme më të madhe që nis nga Shkodra dhe mbaron në Sazan. Rama nuk do më kryebashkiakë, nuk do më figura të forta në terren, nuk do më strukturë, ide apo frymë. Do vetëm një aparat propagande, një grusht noterësh dhe shumë emisarë që kryejnë punët e tij. Edhe pasardhësin e ka gati: flitet për Lea Ypin, socialiste me ide të majta e rrënjë djathtas, e krijuar për të qenë figurë sterile, e pranueshme për ndërkombëtarët dhe pa asnjë rrezik për liderin suprem. Pra, një epilog i qetë për një sundimtar të gjatë.

Përpjekja për ta dëmtuar simbolikisht dhe realisht Gramoz Ruçin përmes kësaj kasaphane në Vlorë nuk është një akt impulsiv. Është një vijë e menduar me kujdes. Shkarkimi i strukturave që ndihmuan në fitoren e PS-së në 2023, vendosja e njerëzve të PD-së në poste kyçe në administratë, fillimi i një plani për të ndryshuar identitetin politik të qytetit; janë sinjale që tregojnë se për Ramën nuk ka më të majtë, nuk ka më trashëgimi, ka vetëm pushtet dhe mbijetesë personale. Ka vetëm një mjet, një armë dhe një mbret.

Tani PS është kthyer në një organizatë ku socialistët e vërtetë janë të padëshiruar, ku strukturat e hershme po zëvendësohen me klientelë të djathtë e biznesmenë lokalë, dhe ku çdo figurë që ka pasur ndonjë ndikim rajonal po eliminohet. Rama është bërë lider i një makinerie që nuk ka më as ideologji dhe as ideal. Vlora ishte simboli i fundit që i qëndroi përballë dhe më në fund u thye. Tani PS është vetëm e tij. Deri në vitin 2027  apo derisa të mbarojnë edhe të fundit socialistë që kanë ende fytyrë, mendim dhe kujtesë./Pamfleti