Një konflikt i ashpër mes Kryeministrit Edi Rama dhe Prokurorisë së Shkodrës ka shpërthyer lidhur me ndërtimet pa leje në zemër të zonës turistike të Thethit. Pas ndërhyrjes së IKMT-së për shembjen e disa kabinave dhe një piste betoni ndërtuar pa leje përballë kishës ikonë të fshatit, kryeministri akuzoi prokuroren Elsa Gjeli për mbylljen e një çështjeje që, sipas tij, lidhej me veprimtari kriminale të maskuar si turizëm.
Pas deklaratave publike të Ramës, dolën në dritë të dhëna të bujshme për personat e lidhur me ndërtimet. Gazetarja Anila Hoxha zbuloi se kabinat ishin ngritur nga një grua e quajtur Lene Prroni, një pensioniste që pretendon se prona është trashëgim nga të parët e saj, ndonëse pa dokumentacion pronësie. Në dëshminë e saj për organet e drejtësisë, ajo tha se ishte interesuar pranë Bashkisë së Shkodrës për leje ndërtimi, por iu kërkuan dokumente pronësie që ajo nuk i kishte. Sipas saj, për ndërtime pa themele dhe pa beton, ligji nuk kërkon leje ndërtimi.
“Paratë për këto kapanone i kam marrë borxh nga të afërmit e mi. Më parë kam pasur 300 krerë bagëti në Dukagjin, por i shita sepse nuk kisha njeri për t’u kujdesur,” ka deklaruar Prroni, duke këmbëngulur se ndërtimi ishte për qëllime turistike dhe pa asnjë qëllim kriminal.
Por pas kësaj fasade, fshihet një emër i rrezikshëm: Prekë Kodra, një personazh i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare dhe ndërkombëtare. Sipas informacioneve të dala nga dosja “Metamorfoza” e SPAK, kabinat në Theth janë në pronësi ose lidhje të afërta me Kodrën, i cili dyshohet se ka ndërtuar këtë kompleks për pastrim parash dhe mbulim aktivitetesh kriminale.
Emri i Prekë Kodrës është i njohur për autoritetet. Në vitin 2021, ai u rendit nga Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë si personi që kishte planifikuar një atentat me snajper ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti – një plan i zbuluar përmes një emaili konfidencial të dërguar nga ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në shtator të vitit 2022.
Kodra është në kërkim ndërkombëtar dhe konsiderohet si një nga figurat kyçe të krimit të organizuar në Shqipëri. Në dosjen “Metamorfoza”, ai lidhet me grupin “Bajri”, biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-drejtorin e policisë Oltion Bistri, dhe prokurorin Xhevahir Lita. Në komunikimet e përgjuara në platformën e koduar Sky ECC, del se ka pasur marrëdhënie me figura të shumta të botës së krimit dhe të drejtësisë.
Ndër akuzat më të rënda që rëndojnë mbi të është përfshirja në atentatin ndaj Ardian Çapjas në vitin 2020, ku u përdor një snajper nga një kodër në Elbasan, si dhe vrasja e Kastriot Reçit më 7 janar 2020. Ai dyshohet gjithashtu për një sërë atentatesh të tjera të mbetura të pazbardhura, dhe në një tjetër përgjim del në komunikim me Suel Çelën (Marjus Lulaj), ku përmenden përçarjet brenda grupit “Bajri”.
Prekë Kodra ishte shpallur në kërkim që në vitin 2016, kur në banesën e tij u gjetën armë dhe municion. Ai e kishte shtrirë aktivitetin kriminal në Shkodër, Tropojë, Ferizaj dhe Deçan, dhe konsiderohet si një person me rrezikshmëri të lartë.
Përplasja Rama – Gjeli është ndezur pikërisht për vendimin e prokurores së re të Shkodrës, Elsa Gjeli, e cila – sipas Ramës – arkivoi çështjen duke injoruar një denoncim të Policisë së Shtetit. Rama e akuzoi publikisht për mbrojtje të interesave kriminale, ndërsa prokurorja ka sqaruar se vendimi është marrë në përputhje me ligjin, pasi ndërtimet nuk ishin të fiksuara me beton dhe nuk plotësonin kriteret për veprim penal.
Skandali i Thethit përfshin pra një përzierje të rrezikshme mes ndërtimit pa leje, pastrimit të parave, konfliktit institucional dhe botës së krimit. Ajo që nisi si një histori me “kapanone turistike” është kthyer në një pasqyrë të errët të lidhjeve të krimit me pronën, politikën dhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri.