“Republika e re e Bablokut”: Si po e ndërton Edi Rama pushtetin presidencial në hijen e Erion Veliajt

Pas izolimit të Erion Veliajt, Edi Rama ka nisur manovrën më të rrezikshme politike: një transformim kushtetues drejt modelit presidencial të stilit Erdogan, me “opozitë dekorative”, “ekspertë teknikë” dhe kontroll të përjetshëm mbi drejtësinë…

Zënia e hapësirave publike nuk është gjë tjetër veçse një pretekst politik i Edi Ramës. Deri më sot nuk kemi parë asnjë plan konkret me faza të qarta, por vetëm një urdhër të shndërruar në lajm të parë në media, për të marrë vëmendjen publike. E më pas, siç ndodh zakonisht me Edi Ramën, për të mbuluar ndonjë zhvillim të rëndësishëm apo për të zhvendosur vëmendjen nga një skandal i mundshëm. Dhe siç dihet, skandalet në këtë qeveri dhe mazhorancë ndodhin thuajse çdo javë.

Shkaku i kësaj stuhie politike nuk është tjetër veçse izolimi dhe rrënimi politik i Erion Veliajt, i cili nuk pranon të japë dorëheqjen, edhe sikur Edi Rama ta përjashtojë nga PS. Shkarkimi me një vendim të kontestueshëm në gjykatë mund ta komplikonte më shumë situatën, ndaj kryeministri ka zgjedhur një strategji më të qetë dhe të kontrolluar.

Pasi ka larguar të gjithë drejtorët e bashkisë së Tiranës, duke i zëvendësuar me besnikët e tij “kamikazë”, që për 13 vjet kanë qenë pjesë e enteve me qarkullimin më të madh të parave publike, tani i është drejtuar administratës. Sipas modelit të zbatuar në Vlorë, edhe në Tiranë pritet së shpejti një emërim masiv i “ekspertëve të djathtë”, që do të shërbejnë si bazë për një lëvizje të re politike në vitin 2027.

Rama synon të kandidojë për kryetar bashkie një figurë “të pavarur” që vjen nga “e djathta”, por që realisht është i afërt me të. Krahas kësaj, ai po afron në role kyçe edhe disa figura të lidhura me Erdoganin në Tiranë, me qëllim konsolidimin e pushtetit personal dhe mbrojtjen ndaj trysnisë perëndimore, që mund të çojë në largimin e tij.

Kjo manovër e Ramës fsheh një aleancë të heshtur me një pjesë të opozitës, e cila do t’i shërbejë atij pas një viti për të ndryshuar Kushtetutën, sistemin zgjedhor dhe ndarjen administrative të vendit. Rama synon të sigurojë 94 vota për ta kthyer Shqipërinë në një Republikë Presidenciale, në modelin turk, ku presidenti të zgjidhet nga populli dhe të ketë kompetenca të zgjeruara ekzekutive.

Nëse kjo ndodh, ai mund të vendosë në krye të qeverisë një figurë “teknike”, ndërsa vetë të marrë rolin e presidentit me pushtet real. Në këtë mënyrë do të ndahen pushtetet me një marrëveshje politike: njëra palë kontrollon qeverinë, tjetra presidencën dhe drejtësinë duke siguruar paprekshmëri dhe balancim të interesave.

Qeveria e re që do të formohet pas kësaj skeme do të përfshijë emra të njohur si “opozitarë” në publik, por që do të trukohen si “ekspertë të pavarur”. Ndërkohë, opozita do të joshet me një reformë zgjedhore proporcionale dhe rritje të numrit të bashkive. Sa për presidentin e ri, ai do të “zgjidhet nga populli” përmes një sondazhi kombëtar, një truk i njohur politik.

Presidenti i ri do të ketë kompetenca të forta në fushën e sigurisë, SHISH-it dhe drejtësisë, por jo në përbërjen e qeverisë. Qëllimi i vërtetë? Kontroll i plotë mbi institucionet dhe një “amnisti politike” që zgjat së paku 7 vjet./Pamfleti