Drejtori i Policise Proda: Parkimi i dyfishtë do konsiderohet vepër penale

Një ndryshim thelbësor në trajtimin e një prej shkeljeve më të përhapura në qytetet shqiptare është paralajmëruar nga drejtori i Policisë Rrugore, Proda. Në një deklaratë të drejtpërdrejtë për mediat, ai theksoi se parkimi i dyfishtë në rrugë nuk do të konsiderohet më si një shkelje e lehtë administrative, por do të trajtohet si një vepër penale, që rrezikon seriozisht sigurinë rrugore dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve.

Parkimi i dyfishtë nuk është më thjesht një ndalim i gabuar. Ai është bllokim i rrugës, i mjeteve dhe i këmbësorëve. Është një cenim i dhunshëm i të drejtës për të lëvizur, dhe si i tillë, do të trajtohet me të gjithë ashpërsinë që parashikon ligji”, – tha Proda, duke bërë të qartë se struktura të posaçme të Policisë Rrugore do të nisin hetime për çdo rast të tillë.

Sipas tij, tashmë çdo rast i parkimit të dyfishtë do të hetohet mbi bazën e nenit 293 të Kodit Penal, që parashikon:

“Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit – Vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.”

Proda u shpreh se ky fenomen i shëmtuar dhe i rrezikshëm për jetën duhet të marrë fund: “Qyteti është në radhë të parë për këmbësorët, për fëmijët që ecin në trotuar, për ambulancat që nxitohen drejt emergjencave, për zjarrfikësit që shpëtojnë jetë. Nuk mund të pengohen më nga ata që parkojnë ‘dy minuta’ në mes të rrugës,” – u shpreh ai.

Deklarata e tij vjen në një moment kur problem i parkimeve të dyfishta është kthyer në një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve, sidomos në zonat urbane si Tirana, Durrësi apo Shkodra, ku ngushtimi i rrugëve ka sjellë bllokim të qarkullimit dhe rrezik për aksidente.

Ky paralajmërim sinjalizon një qasje të re dhe më të ashpër ndaj shkeljeve rrugore, ku toleranca ndaj neglizhencës që dëmton sigurinë publike duket se ka marrë fund. Strukturat e Policisë Rrugore pritet të nisin menjëherë fushata ndërgjegjësuese dhe aksione konkrete në terren.