Zjarri në Theth d*gji restorantin më të mirë, pronarja e prekur zbulon detajet e renda: Sma bënë dritat, komshinjte erdhen dhe

Një zjarr në mesnatë shkrumbon një restorant në Theth, pronarja përjashton shkëndijën elektrike dhe ngre dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e Thethit në orët e para të mëngjesit, kur një zjarr i fuqishëm ka përfshirë dhe shkatërruar plotësisht një restorant turistik në pronësi të familjes Gjeçaj. Flakët kanë shpërthyer rreth orës 02:00, ndërsa ndërhyrja e menjëhershme e banorëve ka ndihmuar në parandalimin e përhapjes së zjarrit në strukturat përreth.

Sipas pronares Aida Gjeçaj, dëmi i shkaktuar arrin në rreth 150 mijë euro, pasi ndërtesa ishte përfunduar vetëm një vit më parë dhe ishte ndërtuar me materiale ekologjike. Ajo thekson se pavarësisht përmasave të dëmit, fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar.

Pronarja e godinës përjashton mundësinë që zjarri të jetë shkaktuar nga ndonjë defekt në rrjetin elektrik, duke u mbështetur në konkluzionet paraprake të ekspertëve. “Energjia nuk është ndërprerë edhe pse godina ishte në flakë, çka përjashton shkëndijën elektrike,” tha ajo.

Pavarësisht se nuk ka prova konkrete, Gjeçaj ngre dyshime se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, ndonëse pohon se nuk ka asnjë konflikt personal apo kërcënim të mëparshëm që mund të çonte në një akt të tillë.

“Unë nuk kam pasur mosmarrëveshje me askënd. Kam qenë në Tiranë për punë kur më njoftuan se restoranti ishte në flakë. Komshinjtë ndërhynë menjëherë, por fatkeqësisht nuk mundën të shpëtonin asgjë”, tha ajo me zë të dridhur.

Restoranti, sipas Gjeçajt, ishte ndërtuar me përkushtim dhe pasion, duke qenë një nga të parët që ka promovuar turizmin e qëndrueshëm në Theth. “Kemi mbi 15 vite që operojmë në këtë zonë, gjithmonë të kujdesshëm me ligjin dhe pa ndërtuar asgjë pa leje”, shtoi ajo.

Struktura e përfshirë nga flakët ishte një investim që sipas saj ishte i konsiderueshëm, por i bërë me transparencë të plotë.

E pyetur nëse kishte ndonjë konflikt me ndonjë institucion, Gjeçaj mohoi një gjë të tillë. “Nuk kam ndërtuar pa leje, nuk kam procedime apo penalizime. Kam zgjedhur të punoj në mënyrë të ndershme dhe modeste, ndaj nuk di ku ta vë gishtin,” thekson ajo.

Në përfundim, ajo i bën thirrje institucioneve për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit, ndërsa shprehet e bindur se drejtësia do të bëjë punën e saj. “Ia kemi besuar ligjit, dhe besojmë që e vërteta do të dalë. Dëmet janë materiale, por zhgënjimi është i thellë,” përmbylli Aida Gjeçaj.