Surpriza e hidhur e Salianjit pasi doli nga b*rgu, ja cfare po i ben ‘GARDA’ e Sali Berishes

Nuk e dimë nëse në përfytyrimin e Berishës, Salianji ishte me shkop në dorë si më 8 janar brenda selisë së PD, por e rëndësishme është që në perceptimin e demokratëve, dukej sikur të gjithë mezi e prisnin daljen e Ervinit nga burgu!

Ish-deputeti i PD Ervin Salianji, e vuajti dënimin me një vit heqje lirie në qelitë burgut të Fierit, nën akuzën e mashtrimit me “Babalen”, teksa doli ende pa mbushur  8 muaj në qeli në gjendje të lirë. Liri me kusht, sipas vendimit të gjykatës.

Të gjitha palët që vendosën për lirimin e tij, ishin në një mendje, Salianji ishte sjellë mirë në burgun e Fierit, kishte pasur komunikimin e duhur me shokët e qelisë, gardianët, popullin rreth e rrotull burgut. Prandaj e meritonte lirinë, të cilën e mori në mënyrë unanime me dakordësinë e burgjeve, prokurorit dhe gjyqtarit! Si rrallëherë!

Të gjithë ndajmë të njejtin mendim se burgu i ka ‘prirë’ për mbarë Ervinit, pasi duket nga ekrani themi, se doli më i bukur, më i kuruar, madje dukej dhe më i ri. Tamam si një dhëndër i ri, të cilin mezi e pret nusja e re në shtëpi, për të ushtruar funksionet e kryefamiljarit në detyrë!

Salianji kishte mbjellë flokët, kishte drejtuar dhe zgjatur hundën, kishte bërë një balancim të fytyrës, nuk dihet se deri në cilën shkallë kishte arritur ‘remonti’ fizik i tij, por të gjitha këto janë bërë në 8 muajt e vuajtjes së dënimit me burg, dënim i vuajtur në qelitë e Fierit, nën akuzën për mashtrim përmes telenovelës’ Babale. I drejtë apo i gabuar vendimi, për këtë akuzë u dënua!

Dikush mund të pyesë se si e ka realizuar këtë proces Salianji, në kushtet e izolimit! Nuk mund të japim ne përgjigjie shterruese, ajo është eksluzivitet i organeve drejtuese të burgut, njerëzve të drejtësisë që mbikqyrin mbarëvajtjen e të dënuarit prej tyre me burg në qeli. Në bëmë një kërkim të thjeshtë, pamë projektin e ristrukturimit të burgut të Fierit, dhe nuk hasëm askund zërin si repart ‘kirurgji plastike’, as repart për mbjellje flokësh, çka na e bën të sigurtë faktin se në ambientet e burgut procesi i ‘zbukurimit’ të Salianjit nuk është bërë. Madje as në Fier nuk ka klinika të këtij lloji, që të marrin përsipër një ‘operacion’ të tillë të vështirë shndërrimi!

Investigimi i mëtejshëm i takon drejtësisë, për të parë hyrje daljet e ish deputetit të PD drejt Tiranës, kohës së qëndrimit në klinikë, por dhe në shtëpi, i takon dhe këtyre gazetarëve tanë të investigimit, nëse kanë marrë ndonjë info përmes shkresave të vizuara me ngjyrë të verdhë nga organet kompetente si ‘direktivë’ për ta botuar! Pasi është një proces i gjatë, dhe procese shumë të rëndësishme operacioni plastik për hundën, fytyrën si dhe mbjelljen e flokëve. Kërkojnë kohë, lëvizje të shpeshta në klinikë si dhe mbajtje nën kontroll mjekësor! Ndoshta dhe togë shoqërimi, pavarësisht se Salianji nuk përbën ndonjë rrezik. Fundja, zyrtarisht nën akuzën për mashtrim u dënua me burg një vit, jo ndonjë akuzë tjetër violente!

Jemi të detyruar të themi diçka dhe për të gjithë ata që për një arsye apo një tjetër, të fajshëm apo të pafajshëm, por që kanë kaluar derën e qelisë së burgut, të themi një urim të veçantë por të ndjerë për ta, ‘paçi fatin e Salianjit”. E themi këtë sepse ka dhe politikanë të tjerë, të rangut më të lartë se sa Ervini, madje dhe pa një akuzë konkrete por që mbahen në qelitë e paraburgimit, në përpjekje për të gjetur ndonjë provë e për ta përshtatur sa për të justifikuar kohën e paraburgimit me akuza, të cilët janë nën një mbikqyerje dragoniane.

Pa takime me avokatët e tyre, le më të dalin dhe të ‘ajrosen’ nëpër klinikat estetike të kryeqytetit! Ndërsa populli i thjeshtë që mund të jetë në qeli, afërmendsh nuk gëzon privilegje të tilla! Shqipëria funksion me dy standarde në këtë ‘sektor’ të rëndësishëm, ku ka fituar një vend dhe në raportimet e BE, është e renditur ‘në majë të listës’ së vendeve me më shumë të paraburgosur për frymë të popullsisë në Evropë! Rëndësi ka rekordi i fletëarresteve të realizuara, negativ apo pozitiv, pak problem përbën kjo për organet tona të zbatimit të ligjit në Shqipëri! Çështje statistike me një fjalë!

Por le të kthehemi tek Salianji politikan tashmë përtej operacioneve plastike apo mbjelljes së flokëve, një privilegj i arritur gjatë sezonit të ‘pushimit’ në burgun e Fierit! E themi këtë që në krye të herës sepse ai është i dënuar me kusht, dhe ka një klauzolë në dënimin e tij, që për pesë vite nuk ka të drejtë të ushtrojë asnjë funksion, as të zgjidhet deputet as të bëhet drejtor burgu madje, nëse PD vjen në pushtet ndonjëherë! I bie që deri në vitin 2030, një vit pas zgjedhjeve parlamentare të radhës së vitit 2029, Salianji të punojë ‘qesim’, pa asnjë mundësi zgjedhjeje dhe përfitimi në legjislativ apo në ekzekutiv!

Por Salianji hasi një problem madhor, pikërisht ditën që doli nga qelia! Kishte menduar se do ta prisnin si hero, me lule dhe fishekzjarre ashtu sikurse e përcollën për në qeli, pasi dhe në letrat që ‘shkruante’ nga burgu, drejtuar demokratëve, fliste për herozmin se si po i reziston regjimit të Edi Ramës dhe se si po përballon betejën me këtë regjim! Anipse shpesh e ngatërronte me vijën e re të flokëve që kërkonte nga ‘ustai’ në Tiranë, apo me centimetrat e zgjatjes së hundës, këndin e ristrukturimit të hundës dhe gjëra të tjera të këtij lloji!

Herë-herë përballja me regjimin, nëpër koridoret e PD thuhet nga ata që s’ia duan të mirën, e gjente dhe në shtëpi në Tiranë, kur vonohej nga klinika estetike! Nuk i besojmë këto zëra në fakt, por kundërshtarët e tij në PD po tentojnë ta bëjnë të besueshme! Duke tentuar ta ‘njollosin’, si për t’i treguar se koha e heroizmit mbaroi!

‘Heroizmin’ e Salianjit e kishte vënë në dukje dhe lidershipi i PD, madje dhe vetë Sali Berisha, i cili e vlerësonte përballjen e tij me ‘narkoregjimin e Edi Ramës”, duke krijuar përshtypjen se ai mezi priste që ta kishte në selinë e demokratëve buzë Lanës dhe në ballë të reagimit qytetar ndaj qeverisë së socialistëve. Nuk e dimë nëse në përfytyrimin e Berishës, Salianji ishte me shkop në dorë si më 8 janar brenda selisë së PD, por e rëndësishme është që në perceptimin e demokratëve, dukej sikur të gjithë mezi e prisnin daljen e Ervinit nga burgu!

Por Salianji u përball me një realitet krejt ndryshe nga ai që ishte përfytyruar, teksa  sapo doli nga burgu e mbajti ‘vrapin’ në selinë e PD. Pavarësisht se kryetari Berisha ishte në seli, nuk e priti fare. Nuk e priti as Noka, as Bardhi, as Gjekmarkaj dhe askush nga lidershipi i PD. Madje as të nesërmen, dhe vetëm një aktivitet në Kavajë në përvjetorin e një heroi të demokracisë i ‘puçi’ bashkë me Berishën, ku mbajtën secili nga një fjalim! Si për t’i kujtuar Salianjit, mesazh i qartë ky, se ‘heronjtë’ preferohen dhe shërbejnë ose të vdekur ose në burg!

Shpresojmë që Salianji ta ketë kuptuar se ishte ‘hero’ derisa po kryente dënimin me heqje lirie në qeli, për mashtrim të kuptohemi jo për ndonjë heroizëm të madh, sepse aty shërbente. Ndërkohë që pas daljes nga qelia nuk shërben më, është një ‘numëror topi’ njësoj si të tjerët në PD. Në rresht, pas Berishës, për hallin e tij personal dhe familjar, me drejtësinë dhe me ‘non gratën’ në SHBA e Britani!.

Kemi vënë re jo pa dhimbje, teksa dëgjojmë deklaratat e Salianjit, shohim ekranet që ka marrë me radhë që nga dalja nga burgu, nganjëherë edhe ‘live’ në tre emisione televizive njëherësh, hajde merre vesh cili ka qënë i regjistruar, se ka nisur të flasë për mbajtje përgjegjësie për humbjen e thellë në zgjedhjet e 11 majit, analizën e kësaj përgjegjësie me emra konkretë, ka kërkuar riorganizimin total të PD dhe përgatitjen për betejën e ardhshme parlamentare dhe gjëra të tjera të këtij lloji!

Për hir të së vërtetës jemi të shqetësuar për Salianjin! Sepse ndryshe nga Bardhi dhe Gjekmarkaj, që betohen në kokën e Berishës dhe sulmojnë këdo që përmend fjalën ‘largim’ nga drejtimi i PD të Berishës dhe hapjen rrugë për zgjedhjen e kryetarit të ri demokrat që do të udhëheqë betejën opozitare, Salianji po kërkon pikërisht pikjërisht largimin e Berishës, herë direkt e herë indirekt. Pra po shkel ‘kokën e gjarprit”, dihet çfarë ndodh në këto raste. Po prek Berishën aty ku s’mban fare, dorëzimin e drejtimit të pronës së tij PD, të hipotekuar me ligj e kanun si pronë të familjes!

Nuk dihet kush e nxit Salianjin apo i ‘fryn në vesh’ që të kërkojë ato që kurrë nuk përmenden në PD, shpresojmë të mos ia kërkojnë më këtë gjë, por e udhës do të ishte që ta heqë nga koka atë mendimin për të qënë i pari në PD, qoftë dhe ta ëndërrojë jo më ta shprehë me zë të lartë! Nuk lejohet as ta mendojë, dhe do të ishte më mirë të priste se çfarë hedh Berisha si ‘dhuratë’ për të. Sikurse kanë bërë të gjithë të tjerët, të cilët presin si të mendojë Berisha.

Berisha për Salianjin ishte shumë i qartë, konkret dhe konçiz. Ai në përgjigjie të interesimit të gazetarëve mbi fatin e ‘punësimit’ në politikë të Salianjit pas daljes nga burgu deklaroi se ‘ai është hero në luftën kundër narkoregjimit të Ramës. Do të jetë nënkryetar i Grupit parlamentar të PD”. Berisha i habiti të gjithë ata që e dëgjuan një deklaratë të tillë për pozicionin që do të marrë Salianji pas daljes nga burgu. U duk sikur Berisha e tha pa mendje apo po tallej hapur. E themi këtë sepse Salianji nuk është më deputet dhe s’mund të jetë nënkryetar i grupit të deputetëve pa qënë i zgjedhur. Madje nuk mund të zgjidhet as për pesë vitet e ardhshme. I bie të kandidojë në zgjedhjet e 2033, nëse është ‘gjallë’, politikisht themi. Ndaj shkaktoi habi qëndrimi i Berishës, si pa mandje. Por ama kur nuk i lëviz syri i majtë, i ngrin me një fjalë, tregon se Berisha është tmerrësisht i përqëndruar! Dhe mesazhi ishte i qartë: Salianji për momentin do të jetë, asgjë!

Berisha e ka treguar me kohë e vakt se si sillet ndaj të gjithë atyre që u mbushet mendja se mund të bëjnë kryetarin e PD sa kohë vetë ai është gjallë dhe në krye të PD. Iu mbush mendja Eduard Selamit se ishte kryetar i PD, e nxori zvarrë nga mbledhje e Këshillit Kombëtar në vitin 1995, e dhunoi dhe e dëboi për në SHBA. Iu mbush mendja dhe Lulzim Bashës se ishte kryetar, teksa e përjashtoi Berishën nga PD pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA, dhe e kanë të freskët të gjithë se si Berisha e dëboi nga PD, i mori partinë dhe e nxori nga politika.

Pa llogaritur fatin e atyre që ndër vite kanë dashur ta sfidojnë realisht për postin e kreut të PD. Aq më tepër tani, në moshën 81 vjeçare kur ka hequr picirin për të rimarrë vulën e logon e PD dhe ka hedhur gati 20 milionë dollarë lobime për të qënë kryetar i opozitës, si dhe për të pasur nën hyqëm PD dhe 50 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit të këtij viti!

Besojmë se Salianji, duhet ta ketë kuptuar se duhet të luftojë për numrin dy të PD, me Bardhin me një fjalë, se Flamur Noka nuk lëvizet. Eshtë pjesë e standardit të Berishës për PD ai. Ndërsa ato fotot me të parin e primarëve të Tiranës për kandidat për deputet Hysen Kadiu, por që mbeti jashtë listave më 11 maj, apo mbështetja për deklaratat e Dashnor Sulës dhe të tjerëve që s’janë në linjën e Doktorit, shpresohet të mos kenë rënë në sy për keq te Berisha, por të merren si veprime nën euforinë e daljes në liri, ndryshimit drastik të pamjes dhe mungesës së informacionit se çfarë bëhet në PD realisht!

Përndryshe Salianjin do ta ‘shqyejnë’ në PD me kalimin e ditëve, për keqkutimin e madh të tij, prezantimit të vetes si hero dhe jashtë qelisë dhe si kandidat për postin e kryetarit të PD. Berishës i shërbente vetëm në burg! Tani gjithkush në PD po mendon kohën kur ai të japë urdhër ta ‘shqyejnë’. Politikisht themi. Ndaj, Salianji duhet ta marrë më lehtë këtë punë! T’i shijojë gjërat një nga një, dhe aty ku mundet, pa hyrë në ‘sinoret’ e Berishës. PD është pronë e familjes, e ‘hipotekuar’ madje! Nuk vihet në diskutim më!