Banori me aftësi të kufizuara në Theth, Bekim Koçeku, ka vazhduar edhe sot protestën kundër fadromave të IKMT-së, të cilat synojnë të shembin shtëpitë që ai ka ndërtuar me shumë mundim dhe ndihmën e motrës së ndjerë. I vendosur për të mbrojtur punën e tij,
Në një moment tepër prekës, ai është afruar pranë një përkujtimoreje kushtuar së motrës, duke kujtuar rolin jetik që ajo pati në ngritjen e banesave për pritjen e turistëve në këtë zonë të bukur malore. Bekimi ka theksuar se pa ndihmën e saj, këto shtëpiza nuk do të ishin ndërtuar kurrë, duke e kthyer qëndresën e tij në një akt nderimi ndaj kujtimit të saj dhe një thirrje për drejtësi.
Historia e trishtë e familjes Koçeku: Bujtinat sot të rrënuara mbeten një kujtim për vajzën e familjes, Amanda Koçeku, e cila u nda nga jeta në janar të këtij viti. Vëllai i saj, i paralizuar dhe tashmë i njohur si një nga personazhet e protestës në Theth, rrëfen se Amanda bëri gjithçka që ishte e mundur, për sa kohë ishte gjallë, që ëndrra për një bujtinë për të vëllain e gjymtuar të bëhej realitet. Sot ka mbetur vetëm një pllakë përkujtimore dhe gjithçka tjetër është rrënuar.
Thethi është përfshirë nga protesta dhe zemërim pas një ngjarjeje që ka prekur thellë opinionin publik. Familja Koçeku, e njohur për përpjekjet e saj për të zhvilluar turizmin në zonë përmes një bujtine të ngritur me sakrificë, është vendosur përballë urdhrave të IKMT për prishjen e strukturës, vetëm pak muaj pasi vajza e familjes, Amanda Koçeku, ndërroi jetë në janar të këtij viti.
Amanda ishte zemra e këtij projekti familjar. Ajo kishte një ëndërr: të ndërtonte një vend të vogël pune dhe jete për vëllain e saj të paralizuar, i cili sot është bërë simbol i protestës në Theth. I rrethuar nga mbështetës dhe banorë të zonës, ai i doli përpara fadromave në një gjendje emocionale të rënduar, duke thënë:
“Amanda punoi me shpirt për këtë vend. Mos na shkelni kujtimin e saj. Na morët Amandën, mos na shkatërroni dhe amanetin e saj.”
Bujtina e braktisur, një pllakë e vetme përkujtimore dhe lot të heshtur
Bujtina që dikur priste vizitorë është sot e rrënuar, e boshatisur dhe me një pllakë përkujtimore në nder të Amandës. Një mur qëndron ende në këmbë, si dëshmi e përpjekjes së një familjeje që nuk kërkoi lëmoshë, por punoi për të ndërtuar një jetë me dinjitet në mal.
Sipas një postimi në rrjete sociale nga Klodian Zhivani, një prej zërave që ka dokumentuar këtë histori, Amanda ka investuar gjithçka për bujtinën, ndërsa vëllai i saj jeton sot me kujtimin e motrës dhe frikën e shembjes së të vetmes gjë që i ka mbetur.
“Amanda bëri gjithçka për të vëllain e saj të gjymtuar. Sot ka mbetur vetëm një pllakë përkujtimore, dhe gjithçka tjetër është rrënuar. Tani presin fadromat,” shkruhet në koment.
Shteti kundër kujtimit? Banorët: Kjo është prerje në besë!
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në rrjet dhe në komunitetin lokal, ku shumë banorë e konsiderojnë këtë një akt të rëndë padrejtësie nga shteti, i cili dikur inkurajoi investimet në turizëm, por sot po i shemb me urdhra të ftohtë teknikë.
“Është thjesht çnjerëzore që në vend të ndihmës, kjo familje përballet me fadromat. Ajo bujtinë nuk është ndërtesë – është histori, është dhimbje, është amanet,” thanë banorë të zonës për mediat.
Në Theth, një protestë nuk po bëhet vetëm për truallin. Po bëhet për kujtimin, për sakrificën, për dinjitetin. Dhe në zemër të saj qëndron një histori që Shqipëria nuk duhet ta harrojë.
THETH-IKMT po vijon aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth. Fadromat do të rrafshojnë një disa bujtina të ndërtuara pa leje pranë Kullës së Ngujimit në Theth, në pronësi të familjes Koçeku. Një prej anëtarëve Bekim Koçeku, me aftësi të kufizuara u fut në mes të fadromës së IKMT dhe u shpreh se më mirë do të vdesë sesa t’i prishen shtëpitë prej druri që sipas tij i ka ndërtuar me kredi dhe borxhe.
“I bëj thirrje shtetit të vijë të vërë dorë, se po më prishin shtëpitë prej druri, duke më nxjerrë në rrugë të madhe. Më mirë të më hipë fadroma sipër, të vdes unë më mirë. Të vijnë t’i shohin – janë të gjitha prej druri, me kredi e borxhe, dhe duan të mi prishin. Thirrje Edi Ramës, Benet Becit, ju lutem, live, bota mbarë të shohë çfarë po bëjnë. Jam i vdekur – 200 milionë borxh! Nën goma do futem këtu. Janë shtëpi druri. Kanë thënë të ndërtojmë pa beton. Ja ku janë! Duan të mi prishin. Ku të shkojmë? Unë po vdes nëse mi prishin, po vdes këtu. Thirrje për ndihmë Benet Becit, Edi Ramës – çfarë është ky muhabet, nuk ka beton fare.” – tha banori i Thethit, Bekim Koçeku.
Banori më herët u shpreh se po humbin investimet e bëra nga kursimet e jetës. Ai tha se ka ngritur vetëm 5 shtëpi prej druri, dhe nuk ka asnjë pëllëmbë beton.
Protesta e sotme ishte e paralajmëruar që dje në kuadër të kundërshtimit të aksionit të IKMT-së, të cilët edhe sot kanë shkuar në terren për të prishur disa ndërtime pa leje në zonën turistike të fshatit. Dje, banorët kërkuan negociata dhe dialog me instancat dhe Bashkinë e Shkodrës, por duket se kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh. Aksioni, i inciuar nga kryeministri Edi Rama, do të vijojë pasi në total do të prishen 40 objekte të ngritura në këtë Park Kombëtar. Por banorët janë kundër./ZËRI