Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Kjo Javë”, foli për përjetimet e tij gjatë qëndrimit në burgun e Fierit. Ai përshkroi kushtet e vështira në qeli dhe e konsideroi dënimin si një padrejtësi me prapavijë politike.
Salianji theksoi se burgosja ishte një sprovë e rëndë personale, por njëkohësisht edhe një “medalje” në aspektin politik. Ai bëri të ditur se planifikon të botojë një libër ku do të rrëfejë me detaje përvojën e tij pas hekurave.
Sipas tij, dënimi për “kallëzim të rremë” ishte i padrejtë dhe i motivuar politikisht. Ai tha se në burg u përball me mungesën e kushteve bazë, si uji dhe larja me kanaçe.
“Nuk kam nevojë të kem post, që të vijoj aktivitetin tim publik. Dënimi im është me pasoja, sepse për 5 vite nuk mund të jem as deputet. Por në këndvështrimin politik, dënimi politik është medalje për mua. Mund të kemi në PD një muze kujtese për të gjithë shërbëtorët e regjimit, që në shkelje të ligjit, marrin vendime që turpërojnë Shqipërinë, si vend që nuk krijon dot standarde.
Në qeli numërohen edhe orët. Jam dënuar për kallëzim të rremë, pa bërë kallëzim fare. Nuk më kanë gjetur akuzë as për korrupsion, për asgjë. Më futën në burg, sepse iu prishja punë për zgjedhje. Dita e parë, për çdo njeri që përfundon në qeli, është moment i vështirë për jetën e njeriut, edhe pse e di se ke mbështetje masive, dhe në spektrin politik ka pasur dakordësi që ishte dënim i padrejtë.
Ajo që të rëndon më shumë burgun është padrejtësia e drejtësisë. Mendoj që jam me personalitet të fortë dhe nuk kam pasur probleme. Qëndrova në qeli, kam shkruar, kam reaguar. Aty kupton që s’ka dhe ujë e duhet të lahesh me kanaçe. Këto do i përshkruaj me detaje në një libër. Nga ana njerëzore, stafi në burgun e Fierit ishin njerëz profesionistë. Situatat janë ndryshe nga ato që janë jashtë.
Duhet të shkruash me dorë, të shohësh një TV të vogël. Në ditët e para kërkon ku është telefoni, se je mësuar me instikt, tani më bën përshtypje që e kam telefonin. Pra, që në fillim njeriu nis e mësohet me situatën, qoftë ajo dhe e vështirë.
Pritja ka qenë e mirë, njerëzit bërtisnin emrin tim, thërrisnin “Rama ik”, kjo ishte diçka e mirë, se kupton që edhe qytetarët që janë dënuar, dikush me të drejtë e dikush pa të drejtë, e kanë kuptuar se burgosja ime ishte e padrejtë.”-tha Salianji.