E rende! Tro*ditëse! Babai rr*hte nënën, 15-vjeçarja e dj*g të gj*llë dhe i vë flakën shtëpisë

Një ngjarje tronditëse ka shokuar opinionin publik në Egjipt dhe më gjerë, pasi një vajzë vetëm 15 vjeçe ka vrarë të atin duke i vënë zjarr shtëpisë së tyre. Ngjarja ka ndodhur në zonën Atfih, në jug të qytetit të Gizës, ku e mitura akuzohet se ka shkaktuar një shpërthim të qëllimshëm me gaz, me pasojë vdekjen e të atit 36-vjeçar.

Sipas autoriteteve vendase, ngjarja ka ndodhur në momentin kur babai i saj ishte vetëm në banesë. Vajza kishte përfituar nga mungesa e nënës për të hapur valvulën e gazit në kuzhinë, duke lënë që shtëpia të mbushej me avull të ndezshëm. Në momentin që burri ndezi cigaren, ndodhi shpërthimi fatal, që shkrumboi banesën dhe i shkaktoi atij djegie të rënda. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve.

“Nuk duroja më të shihja mamanë duke u rrahur” – Rrëfimi i vajzës që tronditi policinë

Pas arrestimit, vajza ka dhënë një dëshmi të gjatë para hetuesve, ku rrëfen se veprimi i saj erdhi pas një fëmijërie të mbushur me dhunë, terror dhe poshtërim. Sipas saj, babai ishte i varur nga alkooli dhe droga, shpërdoronte të gjitha të ardhurat për veset e tij dhe dhunonte vazhdimisht nënën, shpesh edhe në prani të saj.

“Ai nuk punonte, nuk sillte asgjë në shtëpi, pinte çdo ditë dhe godiste mamanë. Unë përpiqesha ta ndaloja, por më ka rrahur edhe mua. Kur ajo nuk ishte në shtëpi, unë vetëm qaja. Atë ditë vendosa që nuk mund të vazhdoja më kështu,” ka thënë vajza me lot në sy, sipas raportimeve nga policia.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se konflikti brenda familjes ishte i përhershëm, ndërsa fqinjët kishin bërë më parë disa ankesa për dhunë në familje, por nuk kishte pasur ndonjë ndërhyrje efektive nga autoritetet.

Për momentin, 15-vjeçarja ndodhet në paraburgim dhe është nën mbikëqyrje psikologjike, ndërsa autoritetet egjiptiane pritet të marrin vendim mbi trajtimin e saj si autore e një krimi apo si viktimë e një rrethane të skajshme dhune dhe shpërfilljeje institucionale.

 Një vajzë që duhej të ishte në shkollë, e detyruar të bëhet mbrojtësja e vetme e nënës. Një shpërthim që mori jetë – por tregoi dramën e heshtur të shumë familjeve që nuk kanë as zë, as drejtësi.