Janë apo s’janë bashkë? Ky është misteri më i nxehtë i momentit në showbizin shqiptar, dhe gjithçka po sillet rreth dy emrave të njohur: Ledri Vula dhe Xhensila Myrtezaj. Dy artistët që fillimisht u afruan nëpërmjet bashkëpunimeve muzikore, kanë ndezur kureshtjen e publikut për shkak të afërsisë së tyre të fundit – në skenë dhe jashtë saj.
Në një intervistë të fundit në emisionin “Inspire” të Alketës, Ledri nuk i shmangu dot pyetjet për marrëdhënien e tij me këngëtaren bukuroshe. I pyetur drejtpërdrejt nga moderatorja për kiminë me Xhensilën, ai pranoi se kanë kaluar kohë të bukura në studio, duke punuar në projekte muzikore, por edhe duke ndarë biseda të ndjera që rrallë ndodhin mes kolegësh.
“Kemi pasur një gjuhë të përbashkët sepse të dy i kemi historitë shumë të ngjashme dhe kemi pasur mundësinë të flasim. Më pëlqen shumë si artiste. Kam qejf të rri me njerëz që e duan muzikën dhe që kanë qejf të punojnë. Muhabeti na ka shkuar shumë mirë”, tha reperi i njohur, duke shtuar se edhe koha që po kalojnë bashkë për shkak të koncerteve të përbashkëta po i afron më shumë.
Por pika kulmore e intervistës ishte kur Alketa e pyeti nëse është single. Me një buzëqeshje domethënëse, Ledri tha se “jo, nuk jam single”, ndërsa në një tjetër moment pranoi se një çift si ai me Xhensilën mund të funksiononte shumë mirë edhe në jetën reale:
“Edhe në jetën reale mund të funksionojmë si çift. Normal që po. Pavarësisht fëmijëve apo të kaluarës, nëse dy njerëz duhen, dashuria mund gjithçka”, u shpreh ai.
Reperi nuk ngurroi të tregojë edhe anën e tij të ndjeshme, duke përmendur vajzën e Sarës, Poem Blu.
“Nëse partnerja ime do kishte fëmijë, do sillesha me ta siç do doja të sillej partneri i Sarës me Poem. Unë i dua shumë fëmijët.”
Ndërsa intervista po shkonte drejt fundit, Alketa i kërkoi Ledrit të gjente një fjalë që i rimonte me emrin Xhensila. Përgjigjja e tij? “Trëndafila.” Një simbolikë e fortë për dashurinë, e shprehur me thjeshtësi, por që flet më shumë se çdo deklaratë zyrtare.
Për momentin, as Ledri dhe as Xhensila nuk e kanë konfirmuar publikisht një lidhje dashurie mes tyre, por çdo prononcim, dalje publike dhe foto e përbashkët po lë të kuptohet se kjo “kimi artistike” mund të jetë vetëm fillimi i një historie të re dashurie. Dhe fansat janë gati për ta parë këtë histori të lulëzojë.