Aktori i dashur i humorit, Jul Deda, ishte i ftuar këtë të shtunë në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, ku si gjithmonë, solli të qeshura, batuta dhe një rrëfim mjaft personal për jetën e tij në çift.
I pyetur për njohjen me bashkëshorten, Deda nuk hezitoi të tregojë me sinqeritet e humor historinë e parë që e çoi drejt dashurisë së madhe të jetës së tij.
“Si jam njohur me gruan? Prit ta kujtoj se është pak e vjetër…” – nisi ai me një buzëqeshje, duke shtuar se historia e tyre nisi në Shkodër, dhe nuk ishte aspak një dashuri me shikim të parë… nga para!
“Krejt rastësisht e kam parë për herë të parë nga prapa. Thashë ‘ç’është kjo? Prit ta shoh pak nga para’. Nëpërmjet një shoqeje të përbashkët i lashë një takim. Doja ta takoja.”
Aktori zbuloi gjithashtu se në atë kohë kishte vetëbesim të madh, pasi ishte një figurë e njohur nëpër aktivitetet e shkollës, por bashkëshortja e ardhshme nuk e njihte ende.
“Kisha vetëbesim. Njihesha pak, por kjo që desha unë nuk më njihte fare.”
Gjatë bisedës në studio, Jul Deda pranoi me humor se në fillimet e njohjes ishte pak i patakt, çka sipas tij mund të ketë qenë pikërisht ajo që i “vodhi” zemrën bashkëshortes.
Në stilin e tij të veçantë, Deda shtoi edhe një batutë për martesat dhe xhelozinë:
“Nuk është kjo xhelozia që shpëton marrëdhënien. Xhelozia sa e shkatërron. Është bërë një statistikë për divorcet – kush është shkaku? Martesat!”
Ky rrëfim i sinqertë dhe gazmor i Jul Dedës i dha publikut një tjetër arsye për të buzëqeshur, por edhe për të reflektuar mbi dashurinë dhe jetën në çift. Aktori i njohur, përveç skenës, duket se di ta mbajë ndezur humorin edhe në jetën reale.