Mes tensioneve dhe pakënaqësive të banorëve për shkak të prishjes së ndërtimeve pa leje, në oborrin e Kishës së Thethit është rikthyer një nga format më autentike të vetëqeverisjes në Malësinë e Veriut – Kuvendi i Burrave të Shalës.
Si në kohët e dikurshme, pleqtë e fshatit u mblodhën këtë të diel për të shqyrtuar situatën alarmante që po kalon zona, nën praninë e meshtarit lokal, Dom Kastriot Demaj. Takimi vjen në kulmin e aksionit të IKMT-së, i cili ka përfshirë shembjen e dhjetëra objekteve, kryesisht bujtina të ndërtuara pa leje, që sipas banorëve përfaqësojnë mundin dhe të ardhmen e tyre ekonomike.
Në përfundim të kuvendit, banorët u shprehën njëzëri në mbështetje të ndalimit të menjëhershëm të aksionit të prishjeve dhe kërkuan shtyrjen e çdo veprimi që cenon jetën dhe pasurinë e banorëve autoktonë. Ata i bënë thirrje qeverisë që të ulët në tryezë me komunitetin për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme dhe të qëndrueshme, që të mbrojë njëkohësisht ligjin, trashëgiminë kulturore dhe të drejtën zakonore të malësorëve.
“Pa pëlqimin e komunitetit, asnjë investitor i huaj nuk do të mund të gëzojë kurrë qoftë edhe një centimetër tokë”, u shprehën burrat e kuvendit, duke përcjellë një mesazh të qartë për autoritetet.
Gjatë së dielës, në Kishën e Thethit u mbajt edhe mesha tradicionale, ku Dom Kastriot Demaj përcolli një mesazh paqeje, reflektimi dhe bashkëpunimi për të gjithë aktorët e përfshirë – banorët, qeverinë dhe institucionet ligjzbatuese.
Kuvendi i Burrave, siç njihet në traditën e Malësisë së Veriut, është një institucion shekullor i vetëqeverisjes dhe drejtësisë tradicionale që funksionon sipas normave të Kanunit të Lekë Dukagjinit, duke vendosur për drejtësinë, pajtimin dhe fatet kolektive në bazë të fjalës së dhënë, besës dhe nderit.
Rikthimi i këtij institucioni në Theth në një moment delikat për komunitetin tregon jo vetëm forcën e traditës, por edhe thirrjen për dialog dhe mirëkuptim, përtej fadromave dhe urdhrave administrative.
Në ditën e 7-të të aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për shembjen e ndërtimeve pa leje në Theth, fadromat kanë vijuar punën nën mbështetjen e forcave të rendit. Deri më tani, janë prishur rreth 70 objekte, kryesisht bujtina, që sipas autoriteteve janë ngritur në kundërshtim me ligjin dhe pa leje ndërtimi.
Megjithatë, ndërsa makineritë e rëndë vazhdojnë punën, në zemër të Thethit është mbledhur një tjetër lloj “aksioni” – Kuvendi i Burrave. Para Kishës simbol të zonës, disa dhjetëra banorë janë ulur këmbëkryq, si në traditën e lashtë të malësorëve, për të diskutuar situatën dhe për të kërkuar një zgjidhje alternative që respekton si ligjin, ashtu edhe jetesën dhe trashëgiminë e komunitetit lokal.
Takimi u zhvillua pak para meshës së së dielës, që mbahet zakonisht në orën 14:00 në Kishën e Thethit. Mes burrave të mbledhur kishte dakordësi për një kërkesë të përbashkët: ndalimin e menjëhershëm të prishjeve dhe gjetjen e një rruge ligjore për të legalizuar apo përfshirë bujtinat në programin e turizmit malor, përmes paketës së premtuar nga qeveria për zhvillimin e zonave të thella malore.
Në mbështetje të komunitetit ka dalë edhe Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës, e cila në një reagim të mëparshëm është shprehur në mbështetje të banorëve, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së mjedisit dhe traditës, si dhe nevojën për dialog dhe respekt të ndërsjellë.
Prifti lokal, i cili ka shërbyer për vite në këtë zonë, ka bërë thirrje për qetësi dhe dialog, duke kërkuar që të gjitha palët të ulen në një tryezë për të shmangur tensionet dhe për të gjetur një rrugë bashkëpunimi.
Ndërkohë, strukturat e bashkisë dhe IKMT janë angazhuar në heqjen e inerteve dhe pastrimin e zonës, për të mos ndikuar negativisht në imazhin turistik të Thethit, i cili gjatë muajve të verës vizitohet nga mijëra turistë vendas dhe të huaj.
Në disa raste, banorët janë përplasur me forcat e rendit, duke protestuar kundër shembjeve dhe akuzuar qeverinë për veprime të nxituara dhe të dhunshme, pa një proces të qartë konsultimi me komunitetin. Forcat policore janë shtuar në terren për të garantuar vijimin e operacionit dhe për të parandaluar incidente të mundshme.
Thethi, një prej perlave të Alpeve Shqiptare, ndodhet në një udhëkryq mes zhvillimit të turizmit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe mjedisore. Ndërsa qeveria shprehet e vendosur për të ndëshkuar ndërtimet e paligjshme, komuniteti kërkon të mos flijohet për shkak të mungesës së dokumentacionit, kur realisht kanë ngritur një ekonomi mbi mikpritjen dhe ruajtjen e identitetit lokal.
Ngjarjet në Theth po ndiqen me interes në mbarë vendin, ndërsa Kuvendi i Burrave mund të shënojë një kthesë simbolike në kërkesën për më shumë dëgjesë dhe më pak dhunë shtetërore në emër të ligjit.