Nga Thethi te Bashkitë – Si po shpik Edi Rama ‘fortuna’ duke kopjuar Ergodanin për të mbajtur nën kontroll Shqipërinë!

Në vend të planeve ekonomike dhe qeverisjes normale, Edi Rama ka zgjedhur trazirat e simuluara për të ruajtur pushtetin, duke imituar Erdoganin, ndërsa qeveria e re mbetet pezull si një “surprizë vere” në kapelen e magjistarit të vetëm…

E gjithë furtuna e nisur nga Edi Rama në bashkitë e mëdha të vendit, si dhe për problemet e zënies së territoreve publike, nuk është gjë tjetër veçse një trazirë e nisur nga lart.

Nuk ishte një zhvillim i ardhur prej territoreve, sepse përndryshe do të kishim pasur disa faza përpjekjesh apo veprimesh për zgjidhjen e këtyre çështjeve. Rasti i Thethit apo zënieve të trotuareve në qytete të tjera kanë kohë që ekzistojnë. Qeveria kishte të gjitha mjetet dhe mënyrat për të vepruar që në lindje të këtij fenomeni, duke marrë masa të qeta dhe institucionale, pa shkaktuar përplasje apo pakënaqësi.

Mënyra e veprimit dhe provokimit të kësaj furtune nga lart është tipike për qeverisjen autoritare të Edi Ramës, i cili kërkon gjithmonë të shfaqet si njeriu shpëtimtar që vepron vetëm, ndërsa të tjerët nuk punojnë, por duan t’i punojnë pas shpine. Një mentalitet i marrë ‘fije për pe’ nga modeli “modern” i idhullit të tij politik, Rexhep Taip Erdogan.

Edi Rama nuk është një politikan që vepron spontanisht. Ai harton strategji me njerëzit e tij këshilltarë. Por këto strategji nuk kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomisë, mirëqenien apo politikën e jashtme. Objektivi i vetëm është forcimi dhe avancimi i pushtetit të tij personal.

Problemet e ndërtimeve në Theth duhej të ishin trajtuar që në origjinë, me një zgjidhje pa trazira. Edhe pakënaqësitë në bashki mund të ishin adresuar pa trauma, përmes dialogut me drejtuesit vendorë dhe jo me deklarata para kamerave, për të treguar se “Zeusi mund të lëshojë rrufetë e tij”.

Në një shtet normal, diskutimet për bujqësinë, turizmin apo ekonominë zhvillohen në tryeza me aktorë të ndryshëm, e jo me monologje nga kryeministri. Një shtet normal përgatit plane me objektiva dhe afate të qarta për zbatimin. Edhe shteti komunist bënte plane 5-vjeçare për ndërtimin e hidrocentraleve, uzinave, për sipërfaqet e mbjella dhe prodhimin bujqësor.

Edi Rama nuk ka objektiva të tilla. Ai synon vetëm ruajtjen e pushtetit. Dhe kjo nuk bëhet në kushte normale, por përmes trazirave dhe krizave të simuluara, që të dalë si “shpëtimtari i vetëm”.

Në kohë normale do të diskutohej qetë për problemet. Do të dëgjoheshin zërat e specialistëve dhe të intelektualëve, të cilët në periudha trazirash hezitojnë të flasin. Por Edi Rama vepron si një mutesarif osman, që shqetësohet vetëm për të ruajtur rendin dhe për të mbledhur taksat për “sulltanin”.

Furtuna që po prodhon, është një mënyrë për të zëvendësuar lajmet e frikshme që zakonisht vijnë nga SPAK gjatë korrikut. Është një telenovelë politike që mbush ekranet, në mungesë të “sagës së Osmanit”.

Telenovela tjetër pritet të nisë në fillim të gushtit, kur Edi Rama të nxjerrë papritur, si magjistar, qeverinë e re të mandatit të katërt. Por ai ka frikë ta shpallë, ndaj ka zëra që thonë se do ta vonojë deri në vjeshtë./PAMFLETI