Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka komentuar mangësitë e reformës në drejtësi, duke e krahasuar me një “raki” të holluar me ujë. I ftuar në një emision televiziv, Moisiu u shpreh se ndryshimet e minutës së fundit i dhanë politikës ndikim të panevojshëm.
“Ujë ju hodh natën e fundit para se të bëhej votimi, i ndërruan disa nene. Me variantin e parë, politika ishte jashtë fare, por s’mund të rrinin jashtë. Bënë disa gjëra, dhanë disa kompetenca të cilat në fillim nuk ishin parashikuar në përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pati kosto dhe nuk e di sesi do të rregullohet ajo punë.”
Sipas Moisiut, një nga problemet kryesore është që pas vettingut mungon kontrolli i vazhdueshëm: “Ne hodhëm idenë të bëhej një skanim, vettingu, mirëpo kjo nuk do të thotë se unë, Moisiu, kalova vettingun dhe të fle gjumë. Kjo duhet të jetë e përhershme që t’i ndjekin dhe t’i kontrollojnë që të mos bëjnë gabime të së kaluarës. Kjo e dëmton shumë”, tha Moisiu
Ne kemi një ndjenjë bajraktarizmi. Kjo është ajo që na ka penguar. Bajraktarllëku të jep fjalën dhe vazhdon, por njeriu e humbet logjikën dhe arsyen…
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka shkundur politikën shqiptare. Duke e parë me kujdes nga jashtë, Moisiu shprehet se Shqipëria lëngon për shkak të politikës.
I ftuar në një emision, ai tha se kemi 113 vjet shtet dhe ende s’kemi bërë shtet. Po ashtu ai u ka dhënë një shuplakë deputetëve.
“Ne e donim dhe e duam demokracinë. Populli jonë gjithmonë e ka dashur, por tjetër punë si janë zhvilluar ngjarjet. Për fat të keq, na kanë dalë në krye ata që nuk duhet të dilnin. Kemi 113 vjet shtet dhe ende nuk mund të themi që kemi bërë shtet”, tha ai në “A2 CNN”.
Por ku kemi gabuar? “Ne kemi një ndjenjë bajraktarizmi. Kjo është ajo që na ka penguar. Bajraktarllëku të jep fjalën dhe vazhdon, por njeriu e humbet logjikën dhe arsyen. Pikërisht kjo na ka penguar. Kemi 35 vjet në demokraci dhe nuk merret vesh tani. Ne ende nuk po dimë të bëjmë zgjedhje, i duam elektronike, jo si duam. Ata që i kërkojnë, nuk i duan. Si shpjegohet kjo punë? Një dreq i di. Kjo është një krizë e përhershme. Në zgjedhjet e para që janë bërë kam qenë ministër i Mbrojtjes dhe i kam ndjekur me shumë vëmendje. Në atë kohë kishte rënë telekomunikacioni dhe funksiononte ndërlidhja e ushtrisë dhe e bëra. Pra e kemi ndjekur mirë këtë punë. Zgjedhjet bëheshin në pikat e votimit në mal e fushë dhe të raportoheshin. Sot nuk merret vesh. Ndodhin këto gjëra apo sajohen?”, u shpreh ai.
Ish-presidenti u ndal dhe te furtuna që ka nisur Rama, por edhe te ndryshimet që ndodhin në administratë kur ndërrohen pushtetet. Sipas tij, duhet të ketë një kufij, pasi po largohen profesionistët.
“Zhgënjimi është shumë i madh. Unë kam një jetë të gjatë që kam punuar për shtetin, por në vend që të përmirësohemi, sa i përket punës së shtetit, ne e kemi dobësuar. Ne nuk besojmë te administrata, kur ndërrohet qeveria ne i bëjmë nga e para, por kështu nuk kemi për të bërë administratë kurrë, por ajo është e shenjtë. Duhet të ketë një marrëveshje mes partive: Deri këtu ke të drejtë të ndryshosh, më poshtë mos prek.
Kur jam zgjedhur president, thirra sekretarët e përgjithshëm dhe i thash se nuk prek asnjërin, kush do të ikë le të ikë. Pse duheshin ndryshuar? Ata bënin punën e tyre. Më vjen mirë se kjo traditë në Presidencë është ruajtur, që nga roja, që nga shoferi.
Pastaj dalim te kjo që po na ndodh tani. Çohet kryeministri dhe bën batërdinë, i ndërron të gjithë drejtorët. Ka një arsye se kot ai nuk reagon. Në fund të fundit ata janë ata që e njohin. Kur ndodhin këto probleme ndonjëherë duhet të marrësh masa të tilla të ekzagjeruara për mendimin tim”, tha Moisiu në “Off the Record”.
Teksa u ndan te korrupsioni në vend, ai u shpreh se jeton në një shtëpi të ndërtuar 53 vite më parë edhe pse ka qenë për 4 vite president i Shqipërisë, ndërsa theksoi se jo vetëm figurat e larta, por edhe deputetët kanë disa shtëpi.
“Të gjitha duhen, dëshira përpjekjet, edhe përplasja, por ka shumë rëndësi si korrupsioni… e kam thënë se unë me atë shtëpi kam 53 vjet, por nuk është një shtëpi e keqe, por nuk është bashkëkohore. Ama nuk është sekret të them që jo figurat e larta, por edhe çdo deputet ka shtëpi në det, në mal e në kodër, disa të deklaruara dhe disa të padeklaruara dhe me çfarë u bënë? Rrogat ne i dimë”, tha ai.
Ish-presidenti tha se më shqetësuese është fakti që zyrtarët shpesh mohojnë akuzat, duke e quajtur shpifje: “Unë e vras mendjen të gjej mundësinë si të rregullohem. Më e keqja është se thonë se janë në rregull dhe janë shpifje. Këta të bëjnë edhe budalla.”
Moisiu i bëri thirrje drejtësisë së re që të jetë më e kujdesshme dhe të punojë mbi dokumente konkrete: “Po të nxjerrësh faktet, s’mund të thonë se këto gjëra nuk ekzistojnë. Të marrim grupin e pallateve ‘Partizani’, ajo ka qenë tokë e blerë nga italianët. Si janë dokumentet, nuk i di. Nuk bëhet asgjë pa dokumente. Edhe nëse nuk janë këtu, gjenden në Itali. Arkivat të shkojnë dhe t’i marrin, t’ua mbyllin gojën”.