Një thirrje urgjente dhe solemne është lëshuar nga Zef Nika, dera e parë e shtëpisë së bajraktarit të Thaçit, për një mbledhje pleqnore të jashtëzakonshme, në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, si reagim ndaj aksionit të qeverisë për prishjen e bujtinave në Theth dhe përplasjeve të rënda mes banorëve dhe forcave shtetërore.
Kjo mbledhje, me protokoll tradicional dhe në frymën e besës malësore, synon të japë një përgjigje burrash ndaj një situate që po trondit jo vetëm rendin e komunitetit, por edhe vetë nderin dhe dinjitetin e maleve shqiptare.
Në thirrjen publike, Zef Nika thekson:
“Shtëpia e shqiptarit asht e Zotit dhe e mikut. Bukë, kripë e zemër bardhë për mikun, hekur e barot për armikun!”
Në kuvendin që do të zhvillohet në ditët në vijim pritet të marrin pjesë bajraktarë, pleq të urtë dhe përfaqësues të gjithë maleve, për të shqyrtuar zhvillimet e fundit në Theth, ku banorë të ndershëm dhe punëtorë, që kanë investuar me vite për të ndërtuar turizmin, po përballen me urdhra për prishje dhe presion të paprecedentë nga shteti.
Veçanërisht është dënuar qasja agresive e IKMT-së dhe e policisë, përfshirë drejtues të kontestuar me të kaluar kriminale, të cilët kanë hyrë në Theth me fadroma dhe me fjalor kërcënues, në kundërshtim me frymën e dialogut dhe ligjit të shenjtë të mikpritjes që ka udhëhequr prej shekujsh këtë krahinë.
Mbledhja pleqnore ka për qëllim të marrë një vendim kolektiv, të bazuar në drejtësinë tradicionale shqiptare, dhe të përcjellë një mesazh të fortë uniteti dhe qëndrese përballë një pushteti që shihet si i padrejtë dhe i pabesë.
Kjo është një thirrje për nder, jo për dhunë – një thirrje që vjen nga malet që nuk janë gjunjëzuar kurrë, as nga sundimi osman, as nga diktatura komuniste, dhe që sot kërkojnë të mbrojnë jo vetëm shtëpitë e ndërtuara me djersë, por edhe bujtinën, mikun dhe historinë.
Malësorët nuk kanë për qëllim përplasjen me ligjin, por kërkojnë drejtësi e jo fadroma – kërkojnë dialog e jo përbuzje – dhe mbi të gjitha, kërkojnë respekt për besën e dhënë nga vetë Kryeministri, i cili i nxiti vite më parë të investonin në turizëm, dhe sot po i shemb me pabesi.