Në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në moshën 95-vjeçare, ka komentuar edhe situatën e sigurisë në rajon, duke vënë në pikëpyetje armatosjen e Serbisë dhe duke kërkuar një strategji të përbashkët kombëtare për mbrojtjen e Shqipërisë dhe Kosovës.
Moisiu theksoi se Serbia po përfiton armë nga Rusia, Kina dhe vetë, pa pasur ndonjë rrezik real nga fqinjët. “Serbia armatoset sa nga Rusia, Kina, por edhe vet. Lind pyetja, përse armatoset Serbia? Kush e rrezikon Serbinë? Askush nuk e rrezikon.”
Ai vuri në dukje një “teori të botës sllave”, duke shpjeguar se historia dhe migrimet sllave në rajon ndikojnë ende në mentalitetin politik: “Bota sllave, një teori që në mesjetë dhe është e tillë. Po të shikosh dyndjet sllave… po të shikosh aty janë akoma.”
Moisiu u shpreh edhe për shtetin e Kosovës, të cilin nuk e kishte përkrahur në momentin e krijimit: “Erdhi koha dhe u krijua shteti i Kosovës, por unë për këtë nuk kam qenë dakord. Pse duhet të jenë dy shtete? Përbëjmë ndonjë rrezik ne shqiptarët? Ne nuk jemi shquar në historinë tonë për agresivitet.”
Ai nënvizoi nevojën për një strategji kombëtare mbrojtjeje të përbashkët me Kosovën dhe theksoi rëndësinë e mobilizimit të rezervistëve: “Ne duhet të kemi një strategji kombëtare për t’u mbrojtur, jo për të pushtuar të tjerët. Pa një lëvizje me Kroacinë, por nuk e do se çfarë u bë më tej. Një stërvitje të përbashkët nuk kam dëgjuar të bëhet më tej.”
“Ne duhet të kalojmë në sistemin e mobilizimit, jo me para, por rezervistët, kjo punë duhet parë, duhet studiuar. Ne duhet të kemi një strategji domosdoshmërisht për t’u mbrojtur si komb.”
Duke komentuar rolin e NATO-s, Moisiu shprehu dyshime për mbështetjen e aleancës në rast krize: “Ne themi në NATO, por tani çfarë nuk po dëgjojmë për nenin 5. Ne duhet të mendojmë për hesapin tonë. Nëse na vjen NATO, shumë mirë; nëse nuk vjen, duhet të mbrojmë veten”, tha Moisiu në “Off the Record” me Andrea Dangllin. (A2 Televizion)