Një ushtar ukrainas ka tronditur botën me një video lamtumire, në të cilën dokumenton gjendjen tragjike të njësisë së tij dhe mungesën e udhëzimeve nga oficerët e tij eprorë.
Videoja, e publikuar nga korrespondenti ushtarak Chingis Dabiyev, zbulon kushtet dramatike që mbizotërojnë në pozicionet pranë Kupyansk, ku ushtari është plagosur rëndë dhe në një gjendje tragjike psikologjike.
Ushtari, me kokën e lidhur dhe shenjat e plagëve të dukshme, regjistron mesazhin e tij, duke shprehur dëshpërimin dhe mungesën e shpresës për braktisjen që ndien nga komanda .
“Komanda na braktisi. Dy ditë më parë ishin këtu: komandanti i njësisë dhe të tjerë, por tani nuk është askush dhe është e pamundur të komunikosh me askënd. Nuk dimë çfarë të bëjmë”, thotë ai në video, duke nënvizuar ndjenjën e braktisjes që po përjetojnë si ai ashtu edhe ushtarët e tjerë në front.
Ushtari vazhdon të përshkruajë situatën e vështirë në front , ku forcat ruse kanë avantazhin dhe vazhdojnë sulmin me një ritëm intensiv. “Forcat ruse kanë një avantazh të madh. Sulmi ka vazhduar për tre ditë, artileria po punon intensivisht dhe nuk kemi më municione”, shton ai.
Atmosfera në video bëhet edhe më e rëndë kur ushtari, me lot në sy, flet për nënën e tij. “I thuaj nënës sime, Irina Alekseyevna Bondarenko, se nuk do të kthehem më. Mirupafshim”, thotë ai, përpara se ta mbyllë videon, i përlotur.
Përpara kësaj videoje tronditëse, një tjetër ushtar ukrainas, Oleksandr Sychugov, i cili është kapur rob, kishte zbuluar humbjet e rënda që pësoi ushtria në front. Ai u tha përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes ruse se luftëtarët “thjesht po zhdukeshin”, duke përshkruar atmosferën e tmerrit dhe dëshpërimit në front.
Ky regjistrim tragjik dhe dëshmitë e ushtarëve zbulojnë tensionin, dëshpërimin dhe mungesën e udhëzimit që përjetuan luftëtarët ukrainas në fushën e betejës, ndërsa historia personale e ushtarit që i tha “lamtumirë” nënës së tij na kujton tmerret e luftës dhe anën e saj njerëzore.