Do jete e dh mbshme, por ska kthim! Edi Rama ben gati fortunen per Shqiperine ne BE, ja reforma rrenjesore qe do ndryshoje vendin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të martë në lidhje me aksionin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Forcave të Armatosura në zonën e Thethit, ku po shemben një numër i konsiderueshëm objektesh pa leje që ndodhen brenda Parkut Kombëtar.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar këtë aksion si pjesë të “Rilindjes Urbane 2.0”, një projekt i ri që, sipas tij, synon të përgatisë Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenjos, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje – nga ato me mure, tek ato me konstruksion metalik e me dru – në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të peizazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot”, shkruan kreu i qeverisë.

Ai shton se forcat e xhenjos nuk do të largohen nga Thethi derisa të jetë hequr edhe “mbeturina e fundit”, ndërkohë që ka mbetur për t’u shembur edhe një godinë masive, për të përmbyllur, siç thotë Rama, ekzekutimin e plotë të vendimeve të IKMT.

Në këtë deklaratë të fundit, Rama nuk përmendi tensionet që kanë shoqëruar aksionin në ditët e fundit, si përplasjet mes banorëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit, apo faktin që një pjesë e ndërtimeve ishin bujtina të ndërtuara për qëllime turistike, që, sipas komunitetit vendas, po ndihmonin zhvillimin ekonomik të zonës.

Gjithashtu, ai nuk u ndal në akuzat që opozita dhe zëra të shoqërisë civile i kanë bërë këtij operacioni, duke e cilësuar atë selektiv dhe politik, ndërkohë që në shumë raste, ndërtimet pa leje në zona turistike të tjera nuk janë trajtuar me të njëjtin standard.

Në fund të reagimit, Rama nënvizon se ky është vetëm fillimi i “Rilindjes Urbane 2.0”, të cilën e quan një domosdoshmëri jetike për modernizimin e Shqipërisë dhe përgatitjen e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kujtojmë se Thethi, një ndër zonat më të bukura alpine në vend, prej vitesh është kthyer në një destinacion turistik të frekuentuar, duke u zhvilluar kryesisht përmes investimeve të vetë banorëve vendas në bujtina, agroturizëm dhe shërbime mikpritjeje. Shumë prej tyre kanë ngritur struktura akomoduese në kushte të vështira dhe me mungesë mbështetjeje institucionale, duke e cilësuar aksionin aktual si një goditje të rëndë ndaj të ardhmes së zonës.