Një moment thellësisht njerëzor, tronditës dhe njëkohësisht frymëzues është regjistruar në emisionin televiziv të gazetares Beti Njuma, ku i ftuar ishte aktori i njohur Genti Hazizi. Ajo që nisi si një intervistë për artin dhe jetën në skenë, u kthye papritur në një rrëfim prekës që la të shtangur jo vetëm gazetaren, por edhe publikun mbarë shqiptar.
Në mes të bisedës, Hazizi ka ndarë me një qetësi befasuese një lajm të dhimbshëm:
“Sot më ka vdekur motra,” – tha ai me një zë të butë, duke i shkaktuar një çast tronditjeje moderatores Beti Njuma, e cila u mbulua nga emocioni dhe për pak çaste nuk gjeti dot fjalët.
“E di që isha në teatër sot, dhe të kisha premtuar që do vija këtu. Dhe ja ku jam. Por sot më ka ndërruar jetë motra.”
Në një moment që do të mbetet gjatë në kujtesën e shikuesve, ajo i tha me ndjeshmëri:
“Më le pa fjalë…”, por Genti Hazizi, me qetësinë dhe filozofinë që vetëm një njeri i ndritur mund ta mbajë në ditën e humbjes së një njeriu të dashur, shtoi:
“Mos u shqetëso. Motra ime vuante nga Alzheimeri. Dhe unë në shfaqjen time… bëj shaka me Alzheimerin.”
Ky pasazh, ku dhimbja, ironia dhe humori gërshetohen në mënyrën më njerëzore, i la të gjithë pa fjalë. Hazizi tregoi se edhe në dhimbje, ai gjen forcën për të qeshur dhe për të ndarë dritë:
“Unë them me vete, qesh! Sepse ne kemi ardhur në jetë për të qeshur. Dhe kur e pashë fytyrën e motrës sime sot… ajo ishte e qeshur. Dhe unë qesha.”
Këto fjalë të Gentit nuk janë thjesht rrëfim, janë filozofi jete, janë arti që ngjitet mbi dhembjen dhe kthehet në shpresë. Janë teatër i shpirtit, i një artisti që edhe në momentet më të errëta, ndriçon me dritën e dashurisë, kujtesës dhe humorit.
Ky moment është komentuar gjerësisht në rrjete sociale, ku qytetarë të shumtë kanë shprehur admirim, ngushëllim dhe mirënjohje për një njeri që në vend të viktimizimit, zgjodhi të ndajë forcë.