E rende! I arr*stoi shokun! Drejtori Proda, ‘ha*merret’ transferon aty ku nuk ua merr mendja Shefin e Komisariatit

Pas afro dy muajsh nga një ngjarje që tërhoqi vëmendjen e strukturave të Policisë së Tiranës, shefi i Komisariatit nr.2, Ridvan Pali, është transferuar në Komisariatin e Policisë Leskovik, në një lëvizje që ka nxitur diskutime të shumta brenda radhëve të policisë.

Ngjarja lidhet me arrestimin e Altin Morinës, një person në kërkim, për të cilin mediat kanë raportuar më herët se ka lidhje shoqërore me drejtues të lartë të Policisë së Tiranës.

Pas arrestimit të Morinës, disa punonjës të Komisariatit nr.2 u shkarkuan, çka solli edhe dorëheqjen e menjëhershme të shefit të komisariatit, Ridvan Pali, në shenjë kundërshtimi me vendimet e marra. Dorëheqja e tij nuk u pranua në atë kohë, ndërkohë që sot është bërë e ditur transferimi i tij në një komisariat periferik.

Burime pranë strukturave të rendit konfirmojnë se transferimi nuk është shoqëruar me një analizë publike të performancës, ndërsa brenda radhëve të policisë kjo lëvizje perceptohet si pasojë e ngjarjes së dy muajve më parë.

Megjithatë, zyrtarisht nuk është dhënë asnjë sqarim nga Policia e Shtetit lidhur me arsyetimin e transferimit apo nëse kjo lëvizje lidhet me veprime të kryera gjatë detyrës në Tiranë.

Lëvizja ngre shqetësime për mesazhin që mund t’u përcillet punonjësve të policisë, të cilët përballen çdo ditë me vendimmarrje të ndjeshme, sidomos kur bëhet fjalë për persona me ndikim apo lidhje të afërta me figura publike.

Ky është një precedent alarmant, që lë të kuptohet se drejtësia në Policinë e Shtetit nuk po matet më me ligj, por me raportet personale, shoqërore apo klienteliste. Më e keqja, ky veprim demoralizon çdo punonjës policie, që përpiqet të kryejë detyrën me ndershmëri dhe profesionalizëm.

“Nëse arreston një person në kërkim dhe për këtë ndëshkohesh, atëherë kujt i shërben kjo polici?” – pyet një punonjës anonim i strukturave të rendit.

Kjo ngjarje ngrit edhe një pikëpyetje të madhe:
Është Policia e Shtetit një institucion në shërbim të ligjit, apo është kthyer në një rrjet privat ndëshkimesh, hakmarrjesh dhe mbrojtjeje për të afërmit e njerëzve me pushtet?

Në një kohë kur besimi tek institucionet është i brishtë, dhe kur lufta kundër krimit kërkon një polici të fortë, të pavarur dhe të paanshme, veprime të tilla shkatërrojnë çdo përpjekje për reformë dhe profesionalizëm.

Nëse ky rast kalon pa hetim dhe pa përgjegjësi, do të shërbejë si mesazh frikësues për çdo zyrtar policie në vend: mos arresto personat “me lidhje”, sepse nuk i ndëshkon krimi, por i ndëshkon shteti!