Një vajzë ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ një ngjarje tejet shqetësuese, e cila ka ndodhur gjatë pushimeve të saj në plazhin e Velipojës. Sipas dëshmisë së saj, ajo është përballur me një ngacmim të pahijshëm dhe të turpshëm nga një burrë i panjohur, i cili qëndronte në afërsi të zonës ku ajo po pushonte.
Ngjarja ka ndodhur në mes të ditës, në një prej zonave të frekuentuara të plazhit, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e vajzave dhe grave në hapësira publike.
“Shikoni një maniak në plazhin e Velipojës. Vëzhgonte rreth e rrotull nëse dikush po e shikonte, dhe kur sigurohej që nuk po e shihte askush, më bënte gjeste të tilla të neveritshme. Në një çast, më bëri edhe disa gjeste të ndyra me gishta,” – shkruan vajza në mesazhin e saj drejtuar redaksisë.
Sipas saj, burri sillej në mënyrë të dyshimtë dhe të sëmurë, duke u përpjekur të mos binte në sy, ndërsa në fakt kishte në shënjestër vajzën që po pushonte qetësisht.
“Në atë moment i thashë: ‘I pafytyrë, a të vjen turp, sepse jam në një moshë me mbesat e tua!’ Por ai uli kokën, mori telefonin në dorë dhe bënte sikur nuk më kishte dëgjuar, sikur nuk isha aty fare,” – rrëfen ajo më tej.
Denoncimi është shoqëruar me një thirrje për ndërgjegjësim publik dhe reagim nga autoritetet, për të garantuar sigurinë në ambiente publike, sidomos gjatë sezonit turistik kur plazhet janë të tejmbushura me familje, gra dhe vajza të reja.
Ndërkohë, nuk dihet nëse vajza ka bërë një kallëzim pranë policisë së Shkodrës për identifikimin dhe ndëshkimin e autorit. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ku qytetarë të ndryshëm kanë kërkuar masa të rrepta për personat që kryejnë akte të tilla të turpshme dhe të rrezikshme.
Ky incident nxjerr në pah edhe një herë problemin e mungesës së patrullimeve të rregullta policore në zonat turistike, si dhe domosdoshmërinë e instalimit të kamerave të sigurisë dhe forcimit të masave për parandalimin e rasteve të ngacmimeve s(ksuale në vende publike.
Në një shoqëri ku viktimat shpesh heshtin nga frika e turpit ose mosbesimit ndaj institucioneve, zëri i një vajze që guxon të flasë, bëhet një thirrje për të gjithë të tjerët: Ngacmimi nuk është “çështje e vogël” – është një akt që duhet ndëshkuar me forcën e ligjit.