Refuzoi Ramën për shkarkimin e drejtorëve, ja çfarë mund t’i ndodhë ‘rebelit’ te bashkise Konispol

Kriza brenda mazhorancës socialiste duket se ka marrë përmasa të reja, me përplasjen e fortë që po zhvillohet në Bashkinë e Konispolit. Kryetari i kësaj bashkie, Ergest Dule, ka refuzuar publikisht të zbatojë urdhrin e Kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen dhe shkarkimin kolektiv të të gjithë drejtorëve në varësi të bashkive.

Ky akt i konsideruar si sfidë direkte ndaj autoritetit të Ramës, ka sjellë tensione të hapura mes palëve dhe ka ngritur pikëpyetje serioze për fatin politik të Dules në muajt në vijim.

Sipas burimeve nga brenda takimit mes Ramës dhe kryetarëve të bashkive, ku u diskutua plani për “shkundjen” e administratës vendore pas fitores së mandatit të katërt më 11 maj, Ergest Dule është shprehur hapur kundër këtij urdhri, duke argumentuar se:

“Drejtorët janë të rinj, profesionistë dhe po bëjnë një punë të mirë. Nuk ka asnjë arsye për t’i larguar.”

Ky qëndrim ka sjellë një reagim të menjëhershëm nga Kryeministri Rama, i cili, sipas burimeve, është përgjigjur me fjalët:

“Nëse nuk i shkarkon, jep dorëheqjen vetë.”

Tonet janë ashpërsuar dhe takimi ka përfunduar në një atmosferë të tensionuar. Në një kohë kur në bashki të tjera si Elbasan, Korçë, Kukës, Lushnje dhe Shkodër janë zbatuar pa kundërshtim urdhrat nga qeveria, Dule mbetet i vetmi kryetar që ka vendosur të rezistojë.

Ky “rebelizëm” i papritur po shihet me shqetësim në radhët e PS-së. Sipas disa analistëve dhe zërave brenda partisë, Dule rrezikon të shpallet ‘non grata’ në Partinë Socialiste, duke humbur çdo përkrahje nga qeveria për projekte në zonën e tij. Jo vetëm kaq, por burime konfidenciale nuk përjashtojnë mundësinë që ndaj tij të ngrihen çështje penale, si një mënyrë për të ushtruar presion dhe për ta detyruar të tërhiqet.

Nëse Rama nuk zbutet, Ergest Dule rrezikon të përjashtohet nga çdo skemë politike në të ardhmen. Jo vetëm që do ta ketë të pamundur të garojë për një mandat të dytë në vitin 2027, por do t’i ndërpritet karriera politike, nëse vijon me këtë qëndrim të pavarur që bie ndesh me linjën e partisë.

Përplasja Dule–Rama vjen në një moment kritik për Partinë Socialiste, ku Kryeministri po kërkon “disiplinim total” në strukturat lokale, në funksion të konsolidimit të pushtetit dhe pastrimit të atyre që konsiderohen si “të plogësht”, “të panevojshëm” ose thjesht “jo mjaftueshëm besnikë”.

Mbetet për t’u parë nëse Dule do të qëndrojë në këtë kurs përballjeje, apo do të detyrohet të tërhiqet nën presionin politik dhe institucional që po rritet nga dita në ditë.