Aida Gjeçaj, pronarja e restorantit “Villa Gjeçaj” i cili jo më larg se një javë më parë u bë shkrumb e hi si pasojë e një zjarri që përfshiu ambientin gjatë orëve të natës, ka folur së fundmi për Euronews Albania ku dhe ka treguar mbi ecurinë e hetimeve si dhe për aksionin që kreu i qeverisë, Edi Rama ka ndërmarrë së fundmi në këtë fshat turistik.
E përlotur, Gjeçaj është shprehur se dëshira e saj e vetme ka qenë që të shihte Thethin në standartet e vendeve të tjera të Europës si Italia, Zvicra apo dhe Austria, ku stili i tyre unik i dallon sapo ja hedh sytë.
E pyetur për aksionin e prishjes së ndërtimeve pa leje, në një kohë kur turistë të shumtë nga e gjithë bota kanë prenotuar për të kaluar disa ditë pushimi në Theth, Gjeçaj u shpreh se ishte momenti më i gabuar dhe nuk e di arsyen e cila ka shtyrë kryeministrit Rama për vijimësinë e këtij aksioni.
“Dëshira ime ishte ta kisha Thethin si ato Alpet e Italisë që am vizituar, ato fshatrat me rrugë të sistemuara, me shtëpitë alpine, dhe stilin që e dallon në çdo që ti e dallon ne çdo luginë që vete nga Italia në Slloveni apo në Austri apo dhe Zvicër. Unë nuk e di pse tani, sepse tani është momenti më i keq vërtet, jemi në mes të sezonit dhe kemi turistë të cilët po anulojnë janë në traumatizuar, refuzojnë dhe të bëjnë ecje, shohin situatën dhe kam frikë, Nuk e di pse tani jemi mu në mes të sezonit dhe përtej të gjitha dëmet rrezikohet dhe humbja e sezonit”, tha ajo.
Ndërkohë që më tej bëri me dije se lidhur me zjarrin i cili përfshiu restorantin e bujtinës së saj, hetimet janë duke vijuar, por ajo çfarë dihet deri më tani është fakti se zjarri nuk është shkaktuar nga shkëndija elektrike.
“Hetimet janë në proces ajo është pjesa e ligjit dhe nuk kam informacione, janë në proces nuk jam pjesë e hetimeve, pjesën e ligjit e bëjnë insitucione të tjera. Dimë që nuk ka qenë problemi i energjisë elektrike, duket që është diçka tjetër, nuk dua ti vë gishtin askujt”, tha ajo.
Kujtojmë se ngjarja u regjistrua rreth orës 02:00 të mëngjesit të 10 korrikut dhe ishin banorët e zonës ata të cilët bënë të mundur mospërhapjen e flakëve. Restoranti i familjes Gjeçaj, Petrit Gjeçajt, oficer pranë BKH0së dhe Aida Gjeçaj u përfshi nga zjarri dhe fatkeqësisht nuk ishte e mundur të shpëtohej asgjë.
Aida, e cila më herët ka qenë e ftuar edhe në podcastin me kryeministrin Edi Rama, e lidhi djegien e restorantit të saj të vogël me aksionin e IKMT-së në Theth për prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilën e konsideroi si një “koincidencë të keqe”, duke nënkuptuar kështu se zjarri mund të jetë vendosur nga persona të tjerë të cilëve u janë prishur shtëpizat e tyre nga shteti.
Detyrat e çiftit Gjeçaj si dhe “afrimiteti” me kreun e qeverisë kanë ngritur dyshimet se mund të kemi të bëjmë me një zjarrvënie të qëllimshme dhe jo që flakët të kenë ardhur si pasojë e ndonjë shkëndije elektrike.