Çdo qytetar me banim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë është tashmë i detyruar të bëjë vetëdeklarimin e adresës përmes platformës elektronike e-Albania, si pjesë e një vendimi të fundit të Këshillit të Ministrave për forcimin e regjistrit civil dhe adresimit real të popullsisë.
Sipas këtij vendimi, procesi nuk konsiston vetëm në përditësimin e të dhënave në mënyrë elektronike, por kërkon gjithashtu ngarkimin e dokumentacionit përkatës, që provon të drejtën e qëndrimit në adresën e deklaruar. Për qytetarët që janë pronarë të banesës, duhet të ngarkohet certifikata e pronësisë, ndërsa për ata që jetojnë me kontratë qiraje, ngarkimi i saj është po ashtu i detyrueshëm.
Masa të ngjashme aplikohen edhe në rastet kur qytetari ndryshon adresën e vendbanimit ose vendqëndrimit. Në këtë situatë, ai duhet të ngarkojë çdo dokument ligjor që provon se banon realisht në adresën e re — përfshirë kontrata qiraje, akt-marrëveshje bashkëjetese, vendime gjykate apo deklarata noteriale.
Për të siguruar verifikimin dhe korrektësinë e të dhënave, zyrat e gjendjes civile janë të ngarkuara me përgjegjësinë për të shqyrtuar çdo aplikim brenda 24 orëve. Në rast se konstatohet mungesë dokumentacioni ose papërputhje me të dhënat zyrtare, qytetari njoftohet menjëherë, dhe ka një afat prej tre ditësh për të plotësuar dokumentet e kërkuara.
Qeveria argumenton se kjo masë synon të rrisë saktësinë e regjistrit të adresave, të ndihmojë në planifikimin më të mirë të shërbimeve publike dhe të forcojë integritetin e të dhënave në funksion të proceseve si zgjedhjet, ndihma ekonomike, arsimi, shërbimet shëndetësore dhe të tjera.
Për mosrespektimin e afateve dhe mosplotësimin e të dhënave të kërkuara, pritet që në vijim të parashikohen edhe masa ndëshkuese apo kufizime në aksesin ndaj shërbimeve publike.