Në zhurmën e tregut të fruta-perimeve në Sarandë, mes zërave të shitësve dhe aromave të freskëta të rigonit e çajit të malit, një grua qëndron si simbol i përkushtimit dhe dinjitetit. Quhet Bardha – një emër që sot nuk është më thjesht pjesë e një pazari lokal, por një emblemë kombëtare e ndershmërisë dhe vlerave që nuk i blen dot askush me kupon tatimor.
Historia e saj shpërtheu në rrjet pas një përplasjeje verbale me Mustafa Lamën, të njohur si Muçi, një zyrtar bashkiak që zbarkoi në treg me një dokument në qafë dhe një mision “fiskalizimi” që ngjante më shumë me teatër absurd sesa zbatim ligji. Mes kërkesave për kupona për shalqinjtë, erëzat dhe deri tek sardelet e sapokapura nga deti, ishte Bardha ajo që i dha zë revoltës së qetë të njerëzve të ndershëm.
“Vajta i mblodha në mal, çfarë flet mo Muçi im. O tu bëftë Bardha kurban, ato janë gjëra të natyrës”, u dëgjua zëri i saj në një video që u bë virale. Por përtej batutës së sinqertë dhe buzëqeshjes së përhershme, pak e dinin se pas kësaj gruaje fshihej një histori tjetër – një realitet që shpesh fshihet nga sytë e publikut.
Bardha është e shkolluar. Me fakultet të përfunduar dhe zotëron gjuhë të huaja. Por, si shumë të rinj e të reja në këtë vend, ajo nuk gjeti kurrë një mbështetje institucionale për të punuar në profesionin e saj. E lanë në harresë, ndërsa të tjerët – shpesh pa as arsim bazë, e as gjuhë të huaj – zinin vendet e zyrave, duke harruar se dija e vërtetë nuk vjen gjithmonë me kollare.
Sot, Bardha punon në treg. Por askush nuk e sheh si thjesht një tregtare. “Emblema e tregut”, “gruaja e dashur dhe e respektuar”, “zonja që të ofron karrike, fjalë të mira dhe qerazma” – janë disa nga komentet që kanë mbushur rrjetin. Ajo është më shumë se një shitëse: është mikpritje, është kulturë, është dinjitet.
Një komentues shkruante: “Ti duhet të ishe inspektore në vend të Muçit. Njerëzit pa nivel kanë zaptuar këtë vend.” Një tjetër shtonte: “Një vajzë e shkolluar, e edukuar, e lënë në harresë. Ajo që meriton nuk është tregu, por një zyrë ku të trajtojë me dinjitet qytetarët, ashtu siç di ajo.”
Bardha nuk kërkoi asgjë. As ndihmë, as mëshirë. Vetëm dinjitet. Dhe atë e fitoi me punë, përkushtim dhe dashuri. Ajo nuk është viktimë. Është heroinë e përditshme. Një kujtesë e gjallë për shtetin që duhet të shohë më tej se kuponi tatimor dhe të kuptojë se pas një gruaje me një thes rigon, mund të fshihet një diplomë e pazbuluar dhe një zyrtare më e denjë se shumë të tjerë.