Rreth 30 policë të forcave speciale kanë shoqëruar sot Erion Veliajn, i cili ka kryer një ndërhyrje në një klinikë në Durrës, e njohur për procedurën e kolonoskopisë.
Kolonoskopia është një procedurë diagnostike mjekësore që lejon ekzaminimin e brendshëm të zorrës së trashë (kolonit) dhe rektumit, për të parandaluar mundësinë e sëmundjeve tumoriale. Veliaj e kryen këtë ndërhyrje rregullisht çdo vit, për shkak të historisë familjare të babait të tij.
Drejtoria e Burgjeve ka refuzuar për dy javë me radhë t’i japë leje për ta kryer ndërhyrjen, dhe vetëm sot e ka lejuar, pasi Ministria e Drejtësisë mundësoi shoqërimin e tij me 30 policë të forcave të ndërhyrjes së shpejtë, tre prej të cilëve kanë qëndruar edhe në sallën e operacionit.
Ministri Ulsi Manja nuk ka dhënë asnjë shpjegim pse e vonoi lejen për dy javë, por ndoshta për shkak se forcat speciale kanë qenë të angazhuara me operacionin në Theth dhe vetëm tani u mundësua shoqërimi i Veliajt, si një kriminel i rrezikshëm, deri në sallën e operacionit.
Dy netë më parë, ndërkohë, forcat speciale kanë kontrolluar në mesnatë qelinë e tij, nën dyshimet se mund të kishte ndonjë telefon të fshehur. Në përfundim nuk kanë gjetur asgjë të paligjshme, por shumë prej personave të dënuar që qëndrojnë në atë ndërtesë janë trembur se mos u merren edhe atyre telefonat. Por as kjo nuk ka ndodhur.
Ndërkohë, shtypi është i mbushur me lajme se si e njëjta ministri u lejon kriminelëve më të rrezikshëm të Shqipërisë dërgimin e eskortave në burg, përdorimin e telefonave dhe vënien në shërbim të tyre të gjithë personelit të burgjeve.
Kjo ngjarje e shëmtuar pason gjyqin në Gjykatën e Lartë, vendimi i së cilës ishte unanim: që Veliaj të qëndrojë në arrest, edhe pse ndaj tij nuk ka asnjë akuzë formale.
Të tre gjyqtarët njihen për lidhjet e forta me pushtetin dhe me ministrin Manja, dhe kjo shpjegon shumë gjëra përse Veliaj nuk është vetëm viktimë e SPAK-ut, por edhe pjesë e një fushate linçuese nga vetë pushteti i Partisë Socialiste./ Prapaskena