Një ngjarje tronditëse ka ndodhur pasditen e sotme në lumin Shkumbin, në afërsi të një hidrocentrali, ku dy fëmijë të mitur, vetëm 7 dhe 9 vjeç, kanë humbur tragjikisht jetën teksa laheshin. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe mbarë opinionin publik, ndërsa po dalin në dritë detaje të reja nga momentet e fundit të fëmijëve dhe përpjekjet e dëshpëruara për t’i shpëtuar.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, fëmijët kishin dalë në zonën e zallit bashkë me nënën e tyre për të kullotur bagëtitë, siç kishin zakon të bënin përditë. Gjatë qëndrimit pranë lumit, në vapën e ditës, ata janë futur për t’u larë në ujërat e Shkumbinit, por nuk kanë mundur të dalin më gjallë. Ajo që e bën më tragjike situatën është fakti se zona ku u mbytën fëmijët është një segment i rrezikshëm i lumit, ku sipas dëshmitarëve është hapur një gropë e thellë pas ndërtimit të një prite pranë hidrocentralit.
Një i afërm i familjes, i cili ndodhej në punë në momentin e ngjarjes, ka folur për mediat duke përshkruar me dhimbje dhe tronditje skenën e rëndë që ka parë me sytë e tij.
“Isha te puna, pashë policinë dhe njerëzit që vinin me vrap. Një punëtor i hidrocentralit po mbante njërin fëmijë në krah, ndërsa fëmijën tjetër e kishte polici. Vrapova dhe unë. Ja mora policit, i bëra frymëmarrje artificiale, por pa asnjë reagim…”, u shpreh ai mes lotësh.
Dëshmitari tregon se fëmijët vinin shpesh në atë zonë për të mbushur ujë dhe për të ndihmuar familjen me bagëtitë.
“Prindërit kanë lopë dhe dele, i nxjerrin për të kullotur në atë anë të lumit, mbahen me to. Fëmijët rrinin shpesh aty kur ishte vapë. Aty afër është bërë një gropë e madhe për shkak të pritës. Uji duket i qetë, por është shumë i thellë dhe me rrymë të fortë. Aty i gjeti roja i hidrocentralit…”, tha ai.
Prindërit në gjendje të rëndë psikologjike
Burime pranë familjes bëjnë të ditur se prindërit e fëmijëve janë në gjendje të rënduar psikologjike. Nëna e miturve është parë duke bërtitur e përplasur në vendngjarje, ndërsa babai, i tronditur dhe i pamundur të përballonte dhimbjen, nuk kishte më forcë të fliste me askënd.
“Të ëmën e pashë që përplasej e qante. Të atin s’e pashë mirë, vetëm ikte tutje… i njoh, janë njerëzit e mi, më plasi zemra kur i pashë ashtu”, tha dëshmitari.
Ngjarja ka sjellë në vëmendje edhe një herë mungesën e sigurisë në zonat ujore pranë komuniteteve rurale, ku mungojnë paralajmërimet, barrierat apo mbikëqyrja për rreziqet që mund të sjellin vendbanimet pranë lumenjve dhe digave.
Policia dhe autoritetet në vendngjarje
Policia ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa ekspertë të kriminalistikës po analizojnë vendin ku ndodhi tragjedia për të përcaktuar me saktësi rrethanat dhe shkakun e saktë të mbytjes. Paraprakisht, dyshohet se të miturit janë tërhequr nga rrjedha e fortë e ujit në gropën e thellë të krijuar në shtratin e lumit, në një zonë që nuk ishte e rrethuar apo e sinjalizuar për rrezik.
Ndërkohë, komuniteti është në zi për humbjen e dy fëmijëve të pafajshëm, ndërsa familja e tyre po përgatitet për ceremoninë mortore mes një dhimbjeje të thellë që ka lënë gjurmë në gjithë zonën. Një tjetër kujtesë tragjike se rreziqet natyrore nuk falin dhe se vigjilenca për sigurinë e fëmijëve është jetike.