“Profesori” i Kadillakut me tantella të bardha: Si e ktheu Edi Rama dramën e Thethit në estradë

Një “profesor” që zbret nga retë, një fshat i rrafshuar nga fadromat, heshtja e damkosur e opozitës dhe një kryeministër që qesh me rrënojat e tij…

Ka mbi dy ditë që në rrjete po mbretëron si virale, videoja e hyrjes “triumfale” në Theth e “profesor” Pëllump Pilinçit. I cili ja behu nga Amerika, së bashku me një eskortë me dhjetë truproja, duke u paraqitur si shpëtimtari i banorëve që u ishin prishur ndërtimet e ngritura mbi tokën e trashëguar.

“Profesori” hyri në Theth me një Kadillak suv dhe me një detaj më shumë se butaforik. Aty ku rrinte “profesori” pompoz, pra në sedilen e mbrapme, ishin vendosur perde të bardha të qendisura me tantella.

Pasi ka hapur perdet për të parë popullin që e priste në meidan, “profesori” ka dalë pompoz që të zbrazë përroin e tij psiqik, që ka bërë të qeshin shumë njerëz, të cilët kanë skrolluar videot e tik-tokut në telefonat e tyre.

Por ka bërë të qajë shumë njerëz të dëshpëruar për atë që ndodhi në Theth, ku një urdhër i kryeministrit sfidoi prokurorinë, dhe e ktheu fshatin e famshëm në gërrmadha dhe rrënoja.

Ndërsa policia, që gjatë ditëve të protestës dhe kontestimit ka goditur e bllokuar këdo, deri edhe personazhin ikonik invalid, nuk ia preku as qimen “profesorit” karagjoz me tantella të bardha, së bashku me gorrillat e tij, të punësuar që të pasuronin skenografinë e estradës surreale.

Estradë, që ka firmën e Bablokut, i cili përdor cirkun në mungesë të përballjes reale politike në Shqipëri.

Pasi ka mbyllur në burg njeriun që mund të ishte pasardhësi natyral në PS; ka ushqyer Sali Berishën, jo më me bar, por me vulë, tenderë dhe leje ndërtimi; ka përçarë opozitën që është shpërndarë si zogjtë e korbit; ka grumbulluar në dorën e tij të gjitha pushtetet që nuk i kishte deri para pak kohësh.

Opozita me letra është kthyer në një trupë kuislinge që ka lënë Edi Ramën të bëjë ç’të dojë në këtë vend. Sikur Sali Berisha, së bashku me deputetët dhe drejtuesit e PD-së, të ishte që në natën e parë të aksionit në Theth, sot Edi Rama do të kishte dështuar.

E bashkë me këtë dështim, do të shfryheshin të gjitha ballonat që ai ka ndezur me të ashtuquajturin aksion në bashkitë e tjera të vendit.

Deklaratat e Sali Berishës post-faktum, apo vajtjet e Luciano Boçit pasi gjithçka ka mbaruar, nuk janë gjë tjetër veçse një çorbë e prishur që qelb gjithë dynjanë.

Njerëzit e grabitur, atyre që u shkelen të drejtat, u merret prona, apo u zihet hapësira, nuk kanë një përfaqësues politik. Sepse përndryshe, ata do t’i kishin mbrojtur, do të ishin kthyer në barrikada, së bashku me makinat, kamionat apo eskavatorët e pushtetit. Që duhet të ishin përmbysur nga masa e madhe e popullit opozitar.

Edi Rama bën estradë me njerëzit, sepse ka i blerë, ndoshta jo të gjithë, por pjesën kryesore të opozitës zyrtare. E pastaj nxjerr një personazh cirku të hipur me kadillak me tantella të bardha, që të tallet me banorët e Thethit.

Nëse sot do të kishim një opozitë serioze, së paku ligjërisht të gjithë avokatët e saj, duhet të kishin hapur disa procese e padi njëherësh ndaj kryeministrit, qeverisë, IMK-së, e personazheve të IKMT që fyen banorët, në mënyrë që të fitonte ligjërisht ndaj një aksioni antikushtetues dhe antiligjor.

Edi Rama nuk mund të dalë para publikut si mbrojtës i ligjshmërisë kundër paligjshmërisë. Pasi ai dhe qeveria e tij, nuk kishte asnjë mundësi ligjore që të prishnin objektet e Thethit, kur prokuroria e Shkodrës nuk e kishte lejuar. Si të tilla, Rama nuk është as ligji e as Zoti, por vetëm një nga pushtetet në këtë vend, që nëse kalon kompetencat ka edhe Kushtetutë, madje edhe Kod Penal. Veçse duhet dikush që të ndjekë ligjërisht çështjen, ndërkohë kur politikisht opozita duhet të ndërmarrë nismën e rebelimit kundër paligjshmërisë./Pamfleti