Po udhetoni apo ktheheni ne Shqiperi? Ja sa duhet të jetë vlera e mallrave që kaloni në që të mos taksoheni nga Dogana

Dogana Shqiptare sqaron përjashtimet nga detyrimet doganore për mallrat në bagazhin e udhëtarëve

Dogana Shqiptare (DSH) ka publikuar një njoftim zyrtar lidhur me përjashtimet nga detyrimet e importit për mallrat që udhëtarët mbartin në bagazhet e tyre personale gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas DSH, mallrat që kanë natyre jo tregtare – pra që nuk janë të destinuara për shitje apo përdorim komercial – përjashtohen nga taksat doganore, me kusht që ato të jenë në përdorim vetjak ose të jenë dhurata.

Kufijtë e përjashtimit nga taksat doganore:

Përjashtimi zbatohet në bazë të vlerës totale të mallrave që ndodhen në bagazh, përjashtuar produktet e duhanit dhe alkoolit. Kufijtë janë si më poshtë:

  • Udhëtarët me rrugë tokësore: deri në 300 euro (vlerë ekuivalente në lekë)

  • Udhëtarët me rrugë ajrore apo detare: deri në 430 euro

  • Udhëtarët nën moshën 15 vjeç: deri në 150 euro

Mallrat që tejkalojnë këto vlera nuk ndalohen, por duhet të deklarohen dhe mund të nënshtrohen detyrimeve doganore, sipas legjislacionit në fuqi.

Detyrimi për deklarim dhe procedura e thjeshtuar

Në rast se mallrat që mbahen në bagazh tejkalojnë kufirin përkatës të pataksueshëm ose kanë karakter tregtar (si sasi të mëdha të një lloji, etiketime, ambalazhe komerciale etj.), udhëtari është i detyruar të bëjë deklarim doganor gjatë hyrjes apo daljes nga territori shqiptar.

Në këto raste, procedura e deklarimit të thjeshtuar lejon që procesi i regjistrimit të mallrave të bëhet më shpejt dhe me më pak dokumentacion sesa procedurat klasike doganore.

Kontrolli dhe detyrimi për të treguar mallrat

Autoritetet doganore kanë të drejtën të kërkojnë nga udhëtarët të tregojnë të gjitha mallrat që mbajnë me vete, për të vlerësuar nëse mallrat i nënshtrohen apo jo detyrimeve të importit. Në rast mospërputhjeje apo deklarimi të rremë, udhëtari mund të përballet me masa ndëshkimore apo gjoba.

Përkujdesje për udhëtarët

DSH i këshillon të gjithë udhëtarët që të informohen paraprakisht për kufijtë e lejuar dhe të përgatisin dokumentacionin përkatës nëse transportojnë mallra me vlerë më të lartë apo me karakter tregtar.

Ky rregullim synon të lehtësojë lëvizjen e udhëtarëve dhe të përshpejtojë procedurat doganore për ata që mbajnë mallra personale, duke ruajtur njëkohësisht integritetin e tregut dhe kontrollin mbi qarkullimin e produkteve tregtare në kufi.