Myslim Murrizi: Tani ra në usta Rama, ja kush eshte i “dërguari special” i SHBA si ‘shpetimtari i Shqiperise’

Ish-deputeti i njohur Myslim Murrizi, i njohur për gjuhën e drejtpërdrejtë dhe ironinë therëse, ka shpërthyer në një reagim ndaj ngjarjeve të fundit politike, duke ironizuar personazhin që është vetëshpallur si “shpëtimtari i Shqipërisë” dhe që u shfaq me bujë në Theth disa ditë më parë, i rrethuar nga truproja dhe flamuj, duke shpallur “qeverinë hije” me premtimin se për një muaj e gjysmë do të rrëzonte Ramën nga pushteti.

Në një postim në Facebook që ka bërë xhiron e rrjetit, Murrizi përqesh me sarkazëm të hollë stilin e pompuar, skenografinë “presidenciale” dhe pretendimet madhështore të personazhit, pa ia përmendur emrin drejtpërdrejt, por duke lënë të kuptohet qartë se i drejtohet Pëllumb Pilincit, i cili është bërë së fundmi një figurë virale në rrjet për shfaqjen e tij politike në Alpet Shqiptare.

“Tani ‘ra’ ne usta Rama dhe Qeveria,” shkruan Murrizi me ironi në rreshtat e parë, duke nisur të tallet me premtimin e “rrëzimit të regjimit brenda 45 ditëve”.
“Ishin mësuar të livadhisnin këta, kanë 12 vjet që shinin lëmë. Le të bëjnë me dengla po deshën se e shohin çfarë ju bën ‘i dërguari special i USA’ me gjithë ‘qeverinë’ e tij me 3 ministra,” vijon ai.

Në mënyrë thumbuese, Murrizi vë në lojë shfaqjen teatrale të “udhëheqësit” në fjalë, duke aluduar për prezantimin si një figurë e sponsorizuar nga “fuqi të mëdha” dhe duke vënë në dukje absurditetin e vetëinskenimit.

“Edhe thoni pastaj që ky vend nuk ka burra!!!!” ironizon më tej Murrizi, duke thumbuar ata që besojnë në zgjidhje magjike apo në liderë të vetëshpallur.

Me një nga referencat më thumbuese të statusit, ai e krahason Pilincin me gjeneralin e ndjerë Rrapush Xhaferri, një figurë e diskutueshme e viteve ’90, i cili gjithashtu ishte shfaqur me tone autoritare e patriotike në një periudhë të turbullt për vendin:

“Ehhh mor Z. Pilinci, ç’më nxore mallin e të ndjerit gjeneral Rrapush Xhaferri! Vetëm se ‘gjenerali’ kurrë nuk e përplaste kokën tek çatia e makinës, por si duket ngaqë e kishte makinën e tij,” – shkruan Murrizi me ironi, duke ironizuar episodin e shumëpërfolur të përplasjes së kokës teksa Pilinci dilte nga makina në Theth.

Ai vijon duke goditur me një tjetër batutë:

“Ndërsa ti, makinë me qira e ke dhe do pak kohë sa t’ia marrësh dorën!”

Në fund, Murrizi mbyll statusin me një “përgëzim” sarkastik për “kontributin madhështor” të personazhit në fjalë:

“Respekte për ‘kontributin’ madhështor në ‘mbrojtje’ të çdo qytetari që bie viktimë e arrogancës së qeverisë Rama.”

Një përplasje me nuanca politike dhe teatrale

Reagimi i Murrizit vjen në një moment kur diskursi opozitar ka hyrë në një fazë të fragmentuar dhe jo rrallëherë groteske. Ngjitja në skenë e figurave të reja, të vetëshpallura si “shpëtimtarë të kombit”, po shoqërohet me skepsis, ironi dhe dyshim nga pjesa më e matur e opinionit politik.

Figura si ajo e Pëllumb Pilincit, që vjen me retorikë nacionaliste, uniforma ceremoniale, truproja të shumtë dhe skena të frymëzuara nga liderë autoritarë, kanë krijuar një përzierje të çuditshme mes satirës politike dhe realitetit shqiptar.

Për Myslim Murrizin, një politikan që nuk ka nguruar kurrë të flasë pa doreza, kjo ishte një mundësi e artë për të shkruar një nga postimet më të komentuara të ditëve të fundit – ku humori i zi dhe analiza politike shkojnë krah për krah, në një ironi që të bën të qeshësh… e pastaj të reflektosh.