Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërthyer sërish në akuza të ashpra ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, duke e portretizuar si një njeri të etur për pushtet dhe përçarje në drejtësi, në një kohë kur vetë u paraqit këtë të hënë pranë autoriteteve për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. NE FUND TE LAJMIT DO LEXONI DHE REAGIMIN E GJYKATES
Berisha, i cili ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të hetimeve që po zhvillohen ndaj tij, deklaroi me tone të forta se Dumani po ushtron presion të paprecedentë mbi sistemin gjyqësor, duke tentuar sipas tij të kontrollojë çdo hallkë të tij përmes frikësimit dhe abuzimit me detyrën.
Në deklaratën e tij, Berisha iu referua një incidenti të përfolur brenda ambienteve të drejtësisë, duke thënë se Dumani ka hyrë në një përplasje të ashpër me një gjyqtare që guxoi të mos zbatojë urdhrat e tij.
“Vetëm sa nuk është përleshur fizikisht me një gjyqtare që nuk i ka zbatuar urdhrat. I ka rrëmbyer kompjuterin për ta terrorizuar,” u shpreh Berisha, duke lënë të kuptohet se kreu i SPAK-ut po përdor autoritetin e tij për të shantazhuar dhe poshtëruar anëtarë të drejtësisë që nuk i nënshtrohen vullnetit të tij.
Për ish-kryeministrin, kjo sjellje është tregues i qartë se SPAK, në vend që të jetë një strukturë e pavarur për luftën kundër korrupsionit, është kthyer në një instrument politik të komanduar nga Edi Rama dhe njerëzit e tij, me qëllim goditjen e opozitës dhe heshtjen e kundërshtarëve politikë.
“Po tentojnë të fusin frikën në gjykata. Po e kthejnë sistemin e drejtësisë në një arenë hakmarrjeje personale dhe politike. Kjo nuk është drejtësi, kjo është diktaturë nën petkun e ligjit”, theksoi Berisha.
Akuzat e tij vijnë në një moment delikat për institucionet e drejtësisë, të cilat janë nën presion për të ruajtur besueshmërinë publike në një klimë të polarizuar politike. Ndërkohë, SPAK nuk ka reaguar ende publikisht mbi këto pretendime të Berishës, duke e lënë opinionin të presë se si do të evoluojë kjo përplasje e re në majën e institucioneve të drejtësisë dhe politikës shqiptare.
Gjykata e Posaçme ka hedhur poshtë deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha se në sencën e sotme ndaj tij ka pasur tension me gjytarëve dhe prokurorëve të SPAK.
Sot u mbajt seanca e radhës për dosjen “Partizani” dhe Berisha pas mbylljes së saj, tha para mediave se ‘Dumani sa nuk u përlesh fizikisht me gjyqtaren’.
Deklarata e plote
Në përgjigje të interesit publik/mediatik mbi dosjen “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andia Pustina, “Studio Pustina”, “Studio Homeplan” dhe “Shoqëria Kontakt”, si dhe raportimeve të ditës së sotme në disa media lidhur me një konflikt institucional të supozuar, ndërmjet Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar z. Altin Dumani dhe një prej gjyqtareve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kjo gjykatë sqaron me vendosmëri dhe qartësi se një konflikt i tillë nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar.
Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës. Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme. Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.
Kjo gjykatë funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm, në përputhje me parimet themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës. Pavarësia e gjyqtarëve është e sanksionuar në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në legjislacionin organik për sistemin e drejtësisë, përfshirë ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike. Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar një drejtësi të drejtë, të barabartë dhe të pavarur për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Ne do të vijojmë me vendosmëri punën tonë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut, por pa lejuar në asnjë rast që kjo transparencë të kthehet në mjet presioni apo cënimi të integritetit të vendimmarrjes gjyqësore.
Ftojmë median të mbështesë përpjekjet për forcimin e shtetit të së drejtës me raportim të saktë, të verifikuar dhe në përputhje me standardet profesionale të informimit.
Në përditësim