Vëllai i deputetit të PS, Saimir Hasalla është shoqëruar nga policia e Elbasanit ditën e sotme (21 Korrik).
Raportohet se Denis Hasallës, i cili mban postin e Drejtorit të Kabinetit në Bashkinë Peqin iu janë gjetur në banesën 30 fishekë dhe u vendos në prangat e policiasë.
“Strukturat për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për lejimin e kontrollit në disa banesa, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi i: D. H., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi municioni luftarak”, njoftoi policia.
Municioni luftarak u zbulua në shtëpinë e vëllait të deputetit socialist gjatë kontrolleve në kuadër të hetimeve për çështjen e inceneratorit të Elbasanit.
Me urdhër të prokurorisë dhe në zbatim të vendimit të Gjykatës së Elbasanit, janë ushtruar gjatë mëngjesit të sotëm 14 kontrolle në banesa të zyrtarëve, përfshirë edhe administratorin e kompanisë koncesionare “ECO-ELB”, Leli Kraja.
Në qendër të këtij skandali që kutërbon erë korrupsion është emri i njohur i Lel Kajës, administratori i inceneratorit Eco Elb.
Zjarri që përfshiu fushën e mbetjeve urbane në Elbasan në vitin 2024, rezulton se nuk ishte as rastësi, as fatkeqësi natyrore. Ishte veçse tymi i parë që paralajmëronte një flakë shumë më të madhe atë të një skeme të organizuar keqmenaxhimi, abuzimi dhe shpërdorimi detyre. Prokuroria e Elbasanit, në kuadër të procedimit penal nr. 1417/2024, ka shtrirë hetimet përtej flakëve të plehrave dhe ka hyrë në zemër të inceneratorit aty ku nuk digjeshin vetëm mbetjet, por edhe paratë publike.
Në një seri kontrollesh të kryera në 14 banesa në qarkun e Elbasanit, janë grumbulluar prova që çojnë në një drejtim të qartë, drejt përgjegjësisë penale të disa individëve që nuk kanë djegur vetëm buxhetin, por edhe çdo ndjenjë përgjegjësie publike.
Në qendër të këtij skandali që kutërbon erë korrupsion është emri i njohur i Lel Kajës, administratori i inceneratorit Eco Elb. Dikur shfaqej si menaxher i zellshëm, që fliste për riciklim dhe teknologji të gjelbër, sot ai është bërë një “shenjë qarkullimi” në listën e të kërkuarve.
Lel Kaja ka zgjedhur të zhduket në mënyrë spektakolare, ndoshta me po aq kujdes sa organizoi mbledhjen e fondeve dhe shpërndarjen e kontratave. Aktualisht është në arrati dhe i shmanget hetimeve siç i shmangej kontrollit publik për çdo faturë apo procedurë që kalonte përmes duarve të tij.
Burime të sigurta konfirmojnë se ndaj tij është shpallur kërkimi, ndërsa autoritetet kanë dështuar ta gjejnë në banesën e tij apo në ndonjë nga lokacionet ku zakonisht qëndronte. Nga Eco Elb e deri te aeroporti, rruga duket se ka qenë e lirë për të, ndoshta sepse në këtë vend arratisja është gjithmonë më e lehtë sesa përballja me drejtësinë.
Tridhjetë punonjës të Forcave Operacionale janë angazhuar në terren për ekzekutimin e një vendimi të lëshuar nga gjyqtarja Ina Yzellari e Gjykatës së Elbasanit, në kuadër të kërkimeve intensive për kapjen e Lel Kajës, administratorit të inceneratorit të Elbasanit. Kaja është shpallur në kërkim pasi nuk iu përgjigj thirrjeve të Prokurorisë për t’u paraqitur në lidhje me hetimet për shpërdorim detyre, ndërsa operacioni për lokalizimin e tij po shtrihet në disa zona të dyshuara brenda dhe jashtë qarkut.
Ndërkohë, hetimet kanë hyrë në një fazë intensive. Arrestime priten të ndodhin në ditët në vijim dhe lista nuk është e shkurtër. Bëhet fjalë për persona që kanë pasur lidhje direkte me administrimin e inceneratorit, dhe që dyshohet se kanë bashkëpunuar për të mbuluar gjurmët e keqmenaxhimit dhe shkatërrimit institucional. Kontrollet e fundit kanë synuar pikërisht mbledhjen e dokumenteve, pajisjeve dhe provave që forcojnë aktakuzën. Fakti që Lel Kaja është zhdukur nuk e bën dosjen më të dobët, përkundrazi, e bën më të qartë. Sepse kur dikush ikën pa asnjë fjalë në momentin kur duhet të flasë, është zakonisht sepse e di mirë se çfarë ka për të thënë, dhe më keq, e di çfarë ka për të fshehur.
Lel Kaja nuk është më thjesht administrator i një inceneratori të dështuar. Ai është kthyer në simbolin e një sistemi që djeg çdo gjë përveç përgjegjësve. Kur zjarri i inceneratorit shkrumboi fushën e Elbasanit, askush nuk pranoi përgjegjësi. Sot që drejtësia po përpiqet të shkojë te rrënjët e flakës, personazhi kryesor ka zhdukur veten si një dështak në nxehtësi. Një “zjarrfikës” që nuk e fik zjarrin, por e ndez më shumë, e pastaj largohet për të mos u kthyer më.
Në vendin ku plehrat digjen për të prodhuar energji, duket se energjia më e madhe është shpenzuar për të mbuluar gjurmët. Por as tymi nuk mban përjetë, e aq më pak arratia. Lel Kaja është sot në kërkim. Nesër, shumë të tjerë mund të jenë në pranga. Zjarri nisi në fushën e mbetjeve, por po përhapet në zyrat ku është gatuar mashtrimi më i qetë i këtij qyteti. Dhe këtë herë, tymi nuk shkon lart, po zbret te dosjet./In-Front.org