Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 32 vite burg për Leonard Duke dhe 25 vite për vëllain e tij, Erlis Dukën, të cilët akuzohen për vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Santiago Malkës.
SPAK ka dhënë pretencën ku dhe ka kërkuar në total 157 vite burg për Leonard Dukën, vëllain e tij dhe anëtarët e tjerë të “klanit”, të cilët akuzohen për “Vrasje me Paramendim”, “Armëmbajtje pa leje”, “Trafik Narkotikësh”, vepra këto të kryera në formën e Grupit të Strukturuar Kriminal.
Konkretisht togat e zeza kërkuan:
Leonard Duka- 32 vjet burgim/ Dënimi të kryhet në një burg të sigurisë së Lartë.
Erlis Duka- 25 vjet burgim
Fatmir Hyseni- 32 vite burgim
Aleksandër Manxhaku- 22 vjet burgim
Oltjon Loga- 23 vjet burgim
Dritan Agai- 23 vjet burgim.
Lidhur me këtë vrasje, dy vite më parë, u dënua me 28 vite burg Ilir Selmanin dhe me 7 vite Elvis Gaçaj, pjesë dhe këta të klanit “Duka”.
Kujtojmë se në gusht të vitit të kaluar Leonard Duka preku zyrtarisht tokën shqiptare. Një ndër njerëzit më të kërkuar të drejtësisë dhe eksponent i rëndësishëm i krimit, u ekstradua nga Belgjika ku fshihej dhe iu dorëzua menjëherë në Drejtorinë e Burgjeve.
Leonard Duka njihet edhe si një kundërshtar i betuar i Ervis Martinajt, megjithëse më parë kanë qenë miq dhe ortakë në biznesin e lojërave të fatit.
Përplasja mes grupit të Ervis Martinaj dhe vëllezërve Leonard dhe Erlis Duka kulmoi me eliminimin e ish-policit Santiago Malko, një prej miqve më të afërt të Martinaj, vrasje e ndodhur më 27 gusht 2019. Vrasje e cila dyshohet se u krye nga Klani Duka pasi Malko kishte marrë peng babain e dy vëllezërve Duka.
Santiago Malko që dyshohej se ishte i përfshirë në aktivitete të paligjshme ne fushën e trafikimit të narkotikëve dhe krimeve kundër jetës kishte lidhje të ngushtë me Ervis Martinajn dhe Erigers Mihasit.
Pikërisht pas vrasjes së Santiago Malkos, Ervis Martinaj bëri përgjegjës asokohe Dukën. Ku më pas vetë Martinaj, fati i të cilit deri më sot ende nuk dihet, filloi “luftën” dhe përpjekjet për të “hequr qafe” Leonard dhe Erlis Dukën.