Ish-mbrojtësi i Fiorentinës, Celeste Pin, ka ndërruar jetë në moshën 64-vjeçare. Pin dyshohet t’i ketë dhënë fund jetës mëngjesin e 22 Korrikut në banesën e tij në zonën e Careggit në Firence. Shkaqet që çuan ish-mbrojtësin të ndërmarrë aktin e vetëvrasjes janë ende të paqarta ndërsa hetimet vijojnë. Familjarët raportojnë se ai nuk kishte lënë ndonjë mesazh apo letër lamtumire.
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga një i afërm i cili prej disa ditësh nuk kishte patur kontakt me Pin dhe telefonoi policinë. Fiorentina ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të një prej figurave të saj historike.
“Presidenti Commisso, bashkëshortja e tij Catherine, drejtori i përgjithshëm Alessandro Ferrari, drejtori sportiv Daniele Pradè, trajneri Stefano Pioli dhe i gjithë klubi i Fiorentinës bashkohen me familjen Pin në këtë moment të dhimbshëm dhe shprehin ngushëllimet e tyre më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Celeste.”-thuhet në mesazhin e klubit.
Celeste Pin nisi karrierën si profesionist me Perugian, por u bë figurë kyçe e Fiorentinës gjatë viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990. Ai ishte pjesë e ekipit që luajti finalen e Kupës UEFA në sezonin 1989-1990, të cilën e humbën ndaj Juventusit.
Gjatë kohës te Viola, ai ndau fushën me emra të mëdhenj si Roberto Baggio dhe trajneri aktual i Fiorentinës, Stefano Pioli.
Më pas luajti për Veronën dhe Sienën, ku përfundoi edhe karrierën si futbollist. Pas tërheqjes nga fusha, ai mbeti pranë futbollit duke punuar si trajner për ekipe të moshave në Firence dhe më vonë si komentator sportiv. Përveç angazhimeve në sport, Pin punonte edhe në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Humbja e tij lë një boshllëk të madh në komunitetin sportiv të Firences dhe jo vetëm. Ai do të mbahet mend jo vetëm për kontributin e tij në fushë, por edhe për përkushtimin dhe pasionin e tij të vazhdueshëm ndaj futbollit italian.