Behuni gati per ‘termet’, Rama rikthehet me lëvizje të forta me ministrat në Dajt, çfarë pritet të ndodhë

Kryeministri Edi Rama pritet që mesditën e së enjtes të zhvillojë një mbledhje të pazakontë, por shumë të rëndësishme, me anëtarët e kabinetit qeveritar në rezidencën qeveritare në malin e Dajtit. Burime për Newsbomb.al bëjnë me dije se takimi do të nisë rreth orës 13:00 dhe do të mbahet në formën e një “retreat”-i, një format joformal, por që historikisht ka shërbyer për diskutime të thella strategjike dhe “llogari” të drejtpërdrejtë mes Kryeministrit dhe ministrave.

Ky lloj takimi është kthyer tashmë në një traditë për qeverisjen e Edi Ramës, sidomos në momentet kyçe të mandatit. Ai përdor këtë format për të “shkundur” kabinetin, për të analizuar ecurinë e punës së secilit institucion dhe për të riafirmuar prioritetet qeveritare në vijim të objektivave politike, sociale dhe ekonomike.

Temat: Nga përgatitja për integrimin europian, te lufta kundër informalitetit dhe ndërtimet pa leje

Edhe pse ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht temat që do të trajtohen në këtë mbledhje, burime pranë qeverisë bëjnë me dije se në fokus do të jetë ecuria e përgatitjeve për përmbushjen e kushteve të integrimit europian – një zotim i përsëritur i Ramës që Shqipëria të pozicionohet përfundimisht në rreshtin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian brenda këtij mandati të katërt.

Një tjetër çështje që pritet të jetë pjesë e diskutimeve është aksioni i ndërmarrë nga qeveria në javët e fundit kundër informalitetit në rang vendor, si dhe lufta ndaj ndërtimeve pa leje. Pas dorëheqjes së detyruar të qindra drejtorëve të institucioneve vendore dhe drejtuesve të njësive administrative, Rama ka vendosur një ton të fortë autoritar për të “pastruar” territorin nga abuzimet me hapësirat publike, ndërtimet e paligjshme dhe lejimet selektive në emër të klientelizmit.

Në shumë qytete, sidomos në zonat bregdetare, është dhënë urdhër për prishjen e ndërtimeve të ngritura pa kritere dhe rikthimin e këtyre hapësirave në funksion publik, si parqe, zona pushimi apo shëtitore. Ky është parë si një tentativë për të rikthyer autoritetin e shtetit në menaxhimin e territorit, për të rritur besimin e qytetarëve dhe për të ndëshkuar abuzimet e zyrtarëve vendorë.

Retreat-i i Dajtit: më shumë se një takim – një sinjal politik dhe institucional

Takimi i së enjtes në malin e Dajtit nuk është thjesht një mbledhje kabineti. Ai përfaqëson një moment të rëndësishëm reflektimi dhe riangazhimi për qeverinë. Rama pritet të kërkojë llogari nga ministrat për projektet dhe angazhimet e tyre, por edhe t’i vendosë përballë afateve konkrete për përmbushjen e objektivave strategjikë të qeverisë.

Në sfondin e një viti të ngarkuar politikisht, me sfida të mëdha në drejtim të integrimit, reformës në drejtësi, menaxhimit të territorit dhe përballjes me korrupsionin vendor, ky retreat shihet si një përpjekje e qartë për të rikonsoliduar autoritetin e Ramës mbi administratën dhe për të rritur presionin mbi performancën institucionale të qeverisë së tij.

Retreat-i vjen gjithashtu në një moment kur SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe figura të rëndësishme në qeverisjen vendore dhe qëndrore, çka e bën këtë mbledhje të mbyllur një forum të nxehtë reflektimi dhe orientimi për vijimin e mandatit.

Të mbetet për t’u parë nëse nga ky takim do të dalin vendime konkrete, lëvizje në administratë apo thjesht një rifokusim i kursit të qeverisjes në funksion të integrimit dhe reformimit të shtetit. Megjithatë, mesazhi është i qartë: Edi Rama kërkon më shumë rend, më shumë performancë dhe më pak tolerancë ndaj abuzimeve në territor dhe administratë.