Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar pushtetin se janë duke ushtruar dhunë ç’njerëzore ndaj të burgosurit politik, Ilir Meta. Po ashtu, sipas kryedemokratit duhet të kryhet një hetim edhe ndaj rastit të Erion Veliajt.
“I kërkoj Avokatit të Popullit me urgjencë të marrë takim me të burgosurin politik Ilir Meta dhe të bëjë publike të gjitha qëndrimet çnjerëzore të urdhëruara nga Edi Rama dhe Ulsi Manja nga banditë me uniformë brenda institucionit të vuajtjes së dënimit ndaj ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të vendit”, tha Berisha, shkruan A2 CNN.
“Por sot më duhet gjithashtu të denoncoj të dhëna që kam se ka sjellje çnjerëzore edhe ndaj të burgosurit ordiner, Erion Veliaj. Partia Demokratike ka bërë me dhjetëra e dhjetëra protesta për arrestimin e këtij delinkuenti, i cili është akuzuar as për 20 për qind të krimeve që ka kryer. Por, cilido qoftë i burgosuri, trajtimi i tij në përputhje me rregullat dhe kodin e trajtimit të të burgosurve, është standardi i domosdoshëm për çdo vend anëtar të Këshillit të Europës”, shtoi Berisha. (A2 Televizion)
Në burgun e Durrësit, Erion Veliajt i janë komunikuar akuzat “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”, “fshehje e mosdeklarim i pasurisë” dhe “futje e sendeve të palejuara në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”, raporton A2 CNN.
Në burg u paraqitën këtë të mërkurë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe prokurorët e SPAK, të cilët i komunikuan kryetarit të Bashkisë Tiranë akuzat zyrtare të ngritura ndaj tij.
SPAK i ka komunikuar akuze edhe efektivit të policisë së burgjeve që i dha telefonin Veliajt teksa e shoqëronte nga paraburgimi i Durrësit në Apelin e Posaçëm. Efektivi është marrë i pandehur për futje të sendeve të palejuara në ambientet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Prokuroria e Posaçme i ka komunikuar akuzat edhe bashkëshortes së kryebashkiakut Veliaj, Ajola Xoxës. Njëkohësisht SPAK ka zgjatur afatin e hetimit deri në 29 shtator, raporton A2 CNN.
Për llogari të dosjes “Veliaj”, SPAK i ka komunikuar akuzë edhe biznesmenit M. Lika. Sipas SPAK, Lika akuzohet për “fshehje të ardhurash”.
Komunikimi i akuzave ndryshon statusin juridik të kryebashkiakut, nga person nën hetim në të pandehur.
Gjatë së martës në SPAK u paraqit biznesmeni Elman Abule, një nga të hetuarit e dosjes “Veliaj”, të cilit ju komunikua akuza e “pastrimit të parave”. Abule shoqërohej nga avokatja e tij dhe në dalje nuk pranoi të komentojë.
Erion Veliaj qëndron në paraburgim prej shkurtit të këtij viti. Në vijimësi ai ka bërë përpjekje për zbutje të masës, por pa sukses. Përpjekja e fundit e tij ishte në Gjykatën e Lartë dy javë më parë, ku nuk mundi të zbuste masës “arrest në burg”. (A2 Televizion)