“Vajza dhe gruaja e linin pa bukë. Madje…” – Kryeplaku i fshatit jep detaje te dhimbshme për ngjarjen e rëndë në Fier

Fshati Frashër i Fierit u trondit nga një ngjarje e rëndë kriminale, ku vajza vrau babanë me tel dhe më pas u ndihmua nga e ëma për të fshehur krimin.

Kryeplaku i fshatit, në një prononcim për Top Channel, është shprehur se të gjithëve në zonë u ka ardhur keq për vrasjen e 56-vjeçarit, Anesti Rama.

Ai e përshkruan viktimën si një njeri punëtor dhe i qetë, ndërsa shton se ka pasur probleme në familjen Rama dhe se gruaja me vajzat e linin pa bukë të ndjerin.

Ndër të tjera, kryeplaku tha se ka qenë dëshmitar okular kur familjarët e dhunonin.

Anesti ka qenë burrë i mirë, punëtor, por ka pasur probleme familjare me gruan, fëmijët. Nuk shkonte mirë.

Arrinte sa e linin pa bukë të shkretin, ankohej tek unë. ‘Duan të më nxjerrin nga shtëpia’ më thoshte. Ata merrnin ndihmë ekonomike, i kam ndihmuar sa kam mundur.

Kush e di sa herë ka shkuar policia në shtëpinë e tyre. Unë nuk dija gjë, kur shkova afër banesës ishin ata të krimeve aty.

Thanë se i kishte rënë infarkt, por e kishin mbytur. Na ka ardhur të gjithëve keq, se ishte djalë pa llafe, punëtor. Ato nuk e trajtonin mirë. Viktima punonte në një firmë private.

Ai vetëm ankohej i shkreti. E rrihnin, godisnin në syrin tim. Ça të them unë… ato ha, pi ,rri dhe punonte ai i shkreti.

Jemi të prekur shumë si fshat. Janë tre vëllezër këta. Njëri prej tyre e mori në Greqi ku punoi atje dhe bëri shtëpinë. Familja i thoshin ‘ik nga shtëpia, s’të duam”, tha ai për Top Channel

Vajza e dytë e viktimës ka komentuar për korrespodentin eTop Channel, Neritan Trifoni ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më parë në fshatin Frashër të Fierit.

Vajza e cila jetonte jashtë, tha se fliste shpesh me ta në telefon dhe nuk kishte parë asnjë shqetësim.

E bija e viktimës: Më mori motra në telefon dhe më tha që babi ka rënë në banjë, më pas e fiku telefonin, marr mamin në telefon dhe i them është gjallë? Jo më tha ka vdekur, flisja shpesh në telefon nuk pashë të kishte gjë, nuk kuptova as edhe një gjë, me babin kam folur gjithmonë.

Babai jetonte në shtëpi apo kishte një dhomë veç?

E bija e viktimës: Jetonte në shtëpi, bashkë, babai punonte, edhe mami edhe babi edhe motra.

Anesti Rama, 56-vjeç u mbyt një ditë më parë me tel nga vajza e tij Emanilda Rama, e cila bashkëpunoi me të ëmën për të zhdukur gjurmët. Vajza u arrestua pas ngjarjes, kurse e ëma, e cila pastroi trupin, u arrestua sot.

Ngjarja dyshohet se është planifikuar, sepse para disa ditësh, nënë e bijë e kishin çuar 56-vjeçarin, Anesti Rama në spital për vizitë te kardiologu në mënyrë që të justifikonin vdekjen.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme, ndërsa në orën 01:00 është telefonuar policia.

Emanilda Rama, 26-vjeçarja ka deklaruar në polici se babai ka rënë në tualet dhe vdiq. Së bashku me nënën e kanë larë dhe kanë veshur trupin e pajetë.

Kur ka shkuar në vendin e ngjarjes, policia ka parë mavijosje në qafë nga ku kanë lindur dyshimet se vdekja nuk ishte natyrale.

Pas disa orëve në komisariat, Emanilda Rama është thyer dhe ka treguar që ajo e ka lidhur me tel të atin dhe e ka vrarë.

E reja ka treguar se e ka urryer të atin dhe se nuk e ka përkrahur kurrë në jetë.

Sipas burimeve policore 26- vjeçarja në dëshminë e saj në polici ka pranuar krimin pasi sipas saj i ati e trajtonte me shumë fanatizëm, duke mos e lejuar as të vishej në mënyrë bashkëkohore e as te argëtohej, një sjellje që i ushtronte shumë presion në përditshmërinë e saj.

Ndërkohë nuk është ankuar për dhunë të asnjë lloj forme.

“I mbante lekët për vete. Nuk me blinte as rroba, asgjë. Me ka nxirë jetën”, ka thënë ajo.

 

Top Channel