Në vitin 2017, Amanda Wideman ishte duke u kthyer nga një festival muzikor në British Columbia së bashku me partnerin e saj të atëhershëm, kur u përfshinë në një aksident të rëndë automobilistik.
Teksa udhëtonin në një rrugë malore, një makinë tjetër humbi kontrollin dhe u fut në korsinë e tyre. Në përpjekje për ta shmangur, ata përfunduan duke u përplasur me një tjetër automjet, çka bëri që makina e tyre të përmbysej dhe të ndalej përmbys mbi një barrierë betoni, vetëm disa centimetra larg një humnerë të thellë.
“Në atë sekondë, isha plotësisht e bindur se do të vdisja,” kujton Amanda për kanalin The Other Side NDE. “Mbylla sytë, qetësova trupin dhe thjesht u dorëzova.”
Partneri i saj, që ishte në timon, mbeti i vetëdijshëm dhe nisi të bërtiste, ndërsa Amanda ishte pa ndjenja. Pikërisht në këtë moment, ajo thotë se përjetoi një eksperiencë jashtë trupit që e ndryshoi përgjithmonë.
“Ndjeva sikur jeta vazhdon përgjithmonë”
Amanda kujton se menjëherë pas përplasjes, ndjeu një errësirë të pafundme që nuk i dukej aspak e frikshme, përkundrazi, e përshkruan si një “shpellë të butë dhe të sigurt, që të mbështillte si pupla”.
Si ish-paramedike, ajo thotë se ndjeu sikur nuk kishte më trup, por ishte plotësisht e vetëdijshme për gjithçka. “Nuk shihja apo dëgjoja gjë, por isha më e zgjuar dhe më e vetëdijshme se kurrë.”
Ajo përshkruan një “prani” që e ndjeu pranë, të cilën e identifikon si atë që shumë njerëz do ta quanin Zot. Më pas, ndjeu sikur u rrethua nga “miliona prani të tjera”, të gjitha me ndjesinë e dashurisë dhe mungesës së çdo gjykimi.
Pak çaste më vonë, Amanda rifitoi vetëdijen dhe mësoi se kishte pësuar vetëm një ndrydhje të lehtë në qafë, ndërsa partneri kishte marrë një goditje në kokë.
“Jeta në Tokë më dukej e mjegullt, sikur isha nën efektin e disa gotave alkool, ndërsa ajo përvojë ishte si realiteti i vërtetë, i kthjellët dhe i pastër,” tha ajo.
“Ndjeva një paqe të thellë dhe një prani hyjnore rreth meje – si të isha mes miliarda shpirtrash nga gjithë krijimi.”
Pas kësaj ngjarjeje, Amanda vendosi të largohej nga profesioni si paramedike, shiti shtëpinë, dhe përfundoi lidhjen e gjatë me partnerin. Filloi një biznes online si trajnere për trauma, bën punë vullnetare dhe vazhdon të udhëtojë, duke jetuar me valixhen në dorë.
“Përvoja më ndryshoi rrënjësisht – nuk jam më e lidhur me sendet materiale, jam më shpirtërore dhe më e përqendruar te mirënjohja,” u shpreh Amanda.