Situata del jashte k*ntrrolli, zjarri i fr*kshem 150 metra nga hotelet e njohura te Jugut

Vatra e zjarrit në fshatin Piqeras, një zonë e njohur për vlerat turistike dhe kulturore, ka dalë jashtë kontrollit. Flakët janë përhapur me shpejtësi, duke shkaktuar panik te banorët dhe bizneset që operojnë në këtë zonë bregdetare.

Burime pranë JOQ Albania konfirmojnë se zjarri ka përfshirë edhe Manastirin e Shën‑Mërisë së Kremesovës, një monument kulture i ndërtuar rreth vitit 1672, i shtrirë mbi kodrën e fshatit, që ofron pamje nga ishujt e Korfuzit dhe mali i Llogarasë.

Ky manastir konsiderohet një vend i shenjtë për komunitetin lokal, i cili vizitohet për lutje dhe pelegrinazhe, dhe besohet të ketë sjellë “mrekulli” për vizitorët me probleme shëndetësore.

Situata paraqitet kritike, pasi zjarri është rreth 150 metra larg banesave dhe objekteve tregtare. Ai është përhapur në një zonë kodrinore me bimësi të dendur dhe të thatë, duke e bërë jashtëzakonisht të vështirë ndërhyrjen nga toka.

Era e fortë po ndihmon përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara, duke rritur ndjeshëm rrezikun për jetën dhe pronat e banorëve.

Edhe pse forcat zjarrfikëse dhe strukturat lokale janë në terren, mungesa e infrastrukturës dhe vështirësia e terrenit e kanë bërë thuajse të pamundur ndërhyrjen efektive.

Banorët kanë bërë thirrje urgjente për ndërhyrje ajrore, duke kërkuar ndihmën e shtetit për të shmangur një katastrofë të mundshme.

Zjarri në malin e Shashicës ka dalë jshtë kontrollit, duke vënë në alarm autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave civile. Zjarri u ripërtërit pas mesditës, duke detyruar ndërhyrje nga ajri me dy avionë, të cilët tentuan të frenonin përhapjen e flakëve. Megjithatë, vatra është riaktivizuar pas largimit të avionëve, duke e bërë situatën mjaft të vështirë dhe të rrezikshme.

Në terren ndodhen forcat e emergjencës civile të Vlorës, të mbështetura nga ministri i Mbrojtjes, Niko Vengu, dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, të cilët po monitorojnë nga afër situatën.

Flakët janë përhapur me shpejtësi edhe në zonën e Kaninës.

Ministri Vengu, gjatë inspektimit në terren, ka theksuar se situata mbetet serioze për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta, të cilat po e vështirësojnë ndjeshëm operacionin e shuarjes së flakëve. Ai bëri thirrje për koordinim maksimal mes strukturave të përfshira, duke nënvizuar rëndësinë e mbrojtjes së zonave të banuara.

Autoritetet lokale apelojnë për kujdes dhe bashkëpunim nga komuniteti lokal.