Dy vëllezërit ‘biznesmenë’ Artur dhe Klevis Hoxhosmani, të arrestuar nga SPAK në Palasë së bashku me Ermir Ndreajn, pronarin e “Cinco Cavalli” dhe “Savoy”, kanë rol kyç në organizatën shqiptare që ka mbushur Evropën me kokainë. Sipas SPAK, organizatës kriminale i janë kapur mbi 6 ton kokainë, me një vlerë tregu prej rreth 411 milionë euro. Kjo shifër tregon për një fuqi financiare të jashtëzakonshme të grupit, me rrënjë të thella në sistemin ekonomik dhe ndërtimor të Shqipërisë.
Paratë qarkullonin në mënyrë të padukshme nëpërmjet sistemit Hawala, duke shmangur çdo gjurmë bankare apo lëvizje fizike. “Pamfleti” mëson se dy vëllezërit kanë bashkëpunuar në Shqipëri me dy oligarkë të rëndësishëm, duke i kanalizuar paratë e drogës në sektorin e ndërtimit.
Një nga pistat ku hetimi mund të thellohet është burimi i 1.6 milionë eurove që janë derdhur në llogaritë e moderatores së njohur Luana Vjollca gjatë dy viteve të fundit. Në bazë të cilës kontratë ajo ka përfituar afro 800 mijë euro në vit? Kush është financuesi dhe cila është natyra e shërbimit të deklaruar?

Në komunikatën zyrtare, SPAK deklaron se rrjeti kriminal kishte një linjë të përhershme furnizimi në Mbretërinë e Bashkuar. Linjën e menaxhonte Maksim Koxha, një personazh i njohur në prapaskenë, i cili organizonte trafikun përmes portesh evropiane drejt Anglisë, duke përdorur një rrjet shoferësh kurdë dhe rumunë.
Maks Koxha, i cili lëviz midis Tiranës, Londrës dhe Dubait, administroi miliona euro nga shitja e kokainës, duke i sjellë në Shqipëri përmes njerëzve të tij dhe duke i investuar në prona luksoze në Palasë, Tiranë dhe qytete të tjera. Aktiviteti i tij kriminal nisi me trafikun e qenieve njerëzore dhe kultivimin e kanabisit, ndërsa tani është kthyer në një nga figurat kyçe të pastrimit të parave në ndërtim.

Ervis Keçi, është një tjetër hallkë e rrjetit. Ai menaxhon një pikë tregtimi makinash historike në Durrës, ku sipas të dhënave, pastrohen miliona euro në bashkëpunim me vëllezërit Hoxhosmani.
Në Tiranë, ata kanë ngritur disa biznese fasadë, duke përfshirë një firmë për sisteme elektrike në Kompleksin Deliorgji, menaxhuar nga shtetasi Armand Shehu, dhe një zyrë në Murat Toptani, nën emrin “Ilaria 2015”, e regjistruar për “konsulencë biznesi”.
Pasuritë janë shpërndarë në emrat e partnerëve sentimentalë dhe miqve të besuar të grupit. Pasi u ndie në rrezik nga hetimet, Ermir Ndreaj i kaloi disa prej bizneseve në emër të mikut të tij Enio Jahelezi (alias Lul Jahelezi), një subjekt i ligjit anti-mafia, i cili ka fituar një betejë të rrallë ndaj SPAK duke rimarrë pasuritë e sekuestruara.
Hetimet pritet të thellohen dhe të përfshijnë oligarkë, drejtues ndërtimi, personazhe publikë dhe figura politike që kanë përfituar nga ky rrjet financiar të lidhur me kokainën. /Pamfleti (Vijon…)